Më shumë se 4.500 fluturime janë anuluar në të gjithë botën dhe mijëra të tjerë u vonuan pasi Omicron varianti shumë infektiv, ndërpreu udhëtimin e Krishtlindjeve.
Të paktën 2.000 fluturime u anuluan në mbarë botën në ditën e Krishtlindjes, duke përfshirë afërsisht 700 me origjinë nga ose drejtuar në aeroportet në Shtetet e Bashkuara, me më shumë se 1.500 vonesa që nga ora 7:20 e mëngjesit.
Gjithashtu raportohen mbi 600 anulime për ditën e nesërme.(26 dhjetor)
Pilotët, stjuardesat dhe stafi tjetër kanë rezultuar të sëmurë dhe duhet të karantinohen pas ekspozimit ndaj Covid, gjë që ka detyruar Lufthansa, Delta, United Airlines dhe shumë kompani të tjera të anulojnë fluturimet gjatë një prej periudhave të pikut të udhëtimit të vitit.
United anuloi rreth 200 fluturime si dje ashtu edhe sot(25 dhjetor), ose 10% e atyre që ishin planifikuar.
“Rritja mbarëkombëtare e rasteve të Omicron këtë javë ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në ekuipazhet tona të fluturimit dhe njerëzit që drejtojnë operacionin tonë,” tha United në një deklaratë në prag të Krishtlindjeve.
Si rezultat, ne për fat të keq na është dashur të anulojmë disa fluturime dhe po njoftojmë klientët e prekur para se të vijnë në aeroport,” tha linja ajrore, duke shtuar se po punonte për të ri-rezertuar pasagjerët.
Në mënyrë të ngjashme, Delta anuloi të paktën 260 fluturime sot dhe rreth 170 dje(24 dhjetor), duke thënë se ka “shteruar të gjitha opsionet dhe burimet – duke përfshirë ndryshimin e rrugës dhe zëvendësimin e avionëve dhe ekuipazheve për të mbuluar fluturimet e planifikuara”.
“I kërkojmë falje klientëve tanë për vonesën në planet e tyre të udhëtimit për pushime”, tha kompania.
Njëmbëdhjetë fluturime të Alaska Airlines u ndërprenë, pasi punonjësit thanë se ishin të ekspozuar potencialisht ndaj Covid-19 dhe duhej të izoloheshin në karantinë.
Anulimet shtuan zhgënjimin pandemik për shumë amerikanë të etur për t’u ribashkuar me familjet e tyre gjatë festave, pasi Krishtlindjet e vitit të kaluar u kufizuan rëndë.
Linjat ajrore kineze përbënin numrin më të madh të anulimeve me China Eastern që anuloi rreth 480 fluturime ose mbi 205 të planit të fluturimit të saj, dhe Air China ndaloi 15% të totalit të nisjeve të planifikuara rreth orës 7:20 të mëngjesit.
Sipas vlerësimeve të Shoqatës Amerikane të Automobilave, më shumë se 109 milionë amerikanë ishin planifikuar të udhëtonin me aeroplan, tren ose automobil midis 23 dhjetorit dhe 2 janarit, një rritje prej 34% nga viti i kaluar.
Shumica e këtyre planeve u bënë para shpërthimit të variantit Omicron, i cili është bërë lloji dominues, duke mposhtur disa spitale dhe punonjës të kujdesit shëndetësor.
Për fat të mirë, Omicron nuk ndikoi në planet e udhëtimit të Babagjyshit, sipas Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD), e cila ka ndjekur udhëtimin e Krishtlindjeve të Babagjyshit për më shumë se 60 vjet.
“Babagjyshi po ecën shumë mirë deri më tani”, tha gjeneralmajor Eric Kenny dje në mbrëmje.
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden folën gjithashtu me zyrtarët e NORAD përmes video-konferencës për të siguruar që udhëtimi i Atit të Krishtlindjeve të shkonte pa probleme.
Biden foli më pas, gjithashtu nëpërmjet video-telefonatës, me disa familje amerikane, duke i pyetur fëmijët se çfarë dhurata dëshironin dhe u tha atyre se duhej të qëndronin në shtrat para mesnatës, përndryshe Babadimri nuk do të vinte.
Megjithatë, në shenjë të ndarjeve të thella politike që rrënuan shoqërinë amerikane, ngjarja më pas mori një kthesë të keqe, kur një baba, të cilit zoti Biden sapo i kishte uruar festat e fundvitit, e ofendoi atë.
Sipas gazetarëve të pranishëm në aktivitet, babai tha “Gëzuar Krishtlindjet” dhe më pas “Let’s Go Brandon!”( një slogan politik që është përdorur gjerësisht për të zëvendësuar fjalën “Në djall Biden”)
Fraza është përdorur nga mbështetësit e Donald Trump si një eufemizëm për një vërejtje nënçmuese kundër presidentit aktual.
Burimi: RTE/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje