Linjat ajrore në të gjithë botën anuluan rreth 8.000 fluturime gjatë fundjavës treditore të Krishtlindjeve për shkak të mungesës së stafit, përhapjes së variantit Omicron dhe motit të keq.
Në botë vijojnë të regjistrohen më shumë anulime fluturimesh duke krijuar atmosferë të mjerueshme për mijëra njerëz në fund të vitit.
Sipas Flightaware.com, i cili gjurmon nisjet, vonesat dhe anulimet e fluturimeve, 1639 fluturime të tjera u anuluan të hënën(27 dhjetor) me pak më pak se një e treta që prekin vetëm SHBA-në.
Anulimet shkaktuan një ndërprerje të madhe në rikthimin e udhëtimeve për Krishtlindje këtë vit, duke shkaktuar ankth dhe pasiguri të mëtejshme pasi sezoni i festave të vitit 2020 u ndikua rëndë nga pandemia.
Në aeroportin Minneapolis-Saint Paul në shtetin e Minesotës udhëtarët shprehën zhgënjimet e tyre.
“E rezervova këtë udhëtim në shkurt dhe nuk e kishim idenë se do të kishim të bënim ende me COVID, është çmenduri,” tha Tamera Robinson për fluturimin e saj të anuluar.
Vonesat dhe anulimet e fluturimeve në lidhje me mungesën e stafit kanë qenë një problem i vazhdueshëm për industrinë amerikane të linjave ajrore këtë vit.
Pas rënies së udhëtimit ajror vitin e kaluar, linjat ajrore amerikane inkurajuan punëtorët të largoheshin.Por këtë vit udhëtimet ajrore kryesisht janë rikuperuar dhe ata e kanë lënë veten pa staf.
United Airlines shpjegoi në një deklaratë se rritja e rasteve të Omicron “kishte një ndikim të drejtpërdrejtë” në ekuipazhet e tyre të fluturimit dhe njerëzit që drejtojnë operacionet e tyre.
“Si rezultat, për fat të keq na është dashur të anulojmë disa fluturime dhe po i njoftojmë klientët e prekur përpara se të vijnë në aeroport”, tha kompania.
Dhe linjat e tjera ajrore si Lufthansa po vuajnë gjithashtu mungesa të stafit pasi gjithnjë e më shumë pilotë dhe anëtarë të ekuipazhit të kabinës raportojnë se janë të sëmurë me virusin ose detyrohen të karantinohen me mbërritjen në vende të caktuara.
Linjat ajrore kineze, veçanërisht China Eastern dhe Air China, anuluan më shumë se 2.000 fluturime vetëm gjatë fundjavës tre-ditore, shumë prej tyre drejt Xi’an, ku 13 milionë njerëz janë aktualisht nën izolim.
Hong Kongu ka ndalur të gjitha fluturimet me Korenë Jugore për dy javë, pas identifikimit të rasteve pozitive në mesin e udhëtarëve nga ky shtet.
Në total, më shumë se 8.000 fluturime janë anuluar prej të premtes, kur edhe ka nisur të festohet Krishtlindja.
Ndonëse numri i fluturimeve të anuluara është i vogël në krahasim me totalin e atyre që janë realizuar, kjo shifër është më e lartë sesa zakonisht dhe vjen në kohën kur shumë njerëz udhëtojnë për të kaluar kohë me familjen dhe miqtë.
Ndërkohë, autoritetet amerikane janë duke vëzhguar dhjetëra anije, në të cilat ka raste pozitive me Covid-19, teksa po lundrojnë në ujërat amerikanë.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, disave u është mohuar ankorimi në portet e Karaibeve.
Numri i rasteve të infektimit është duke prekur nivele rekorde në gjithë botën, kryesisht për shkak të variantit Omicron.
Burimi: Euronews/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje