Futboll

Kaosi me Super Ligën, anglezët tërhiqen zyrtarisht: Ndjesë për gabimin!

Super Liga nuk flet më anglisht, të gjashta skuadrat kanë njoftuar largimin nga projekti i ri. Hapin e parë e ka bërë Mançester Siti dhe menjëherë pas mesnate kanë bërë të njëjtën gjë edhe Liverpuli, Mançester Junajtid, Çelsi, Totenhemi dhe Arsenali.

“Topçinjtë” në profilin e tyre Tuiter kanë shkruar: “Ju kërkojmë ndjesë për gabimin”. Tani mbeten vetëm tri skuadrat spanjolle, Real Madrid, Barcelona dhe Atletiko Madrid, si dhe tri skuadrat italiane, Milani, Interi dhe Juventusi. Nga këto klube nuk është bërë asnjë komunikatë zyrtare pas mbledhjes urgjente të Super Ligës.

Logot e skuadrave që krijuan Super Ligën. Gazeta Si, 21 prill 2021

Projekti humbet kështu gjysmat e skuadrave vetëm dy ditë pas krijimit të tij. Turneu i ri është goditur rëndë nga protestat e tifozëve në Britaninë e Madhe, nga qëndrimi i shtypit dhe nga mbështetja e vendosur e qeverisë së kryeministrit Boris Xhonson për daljen nga ky turne.

Përfshirja e Barcelonës në Super Ligë ndërkohë është e kushtëzuar nga aprovimi i ortakëve, të cilët do të shprehen shumë shpejt. Sipas “TV3”, kjo është një klauzolë e futur nga presidenti Joan Laporta në kontratë, në momentin e hyrjes së Barçës në “panelin” e 12 klubeve të projektit. “Nuk do të hyjmë në Super Ligë, deri në momentin që ortakët e klubit tonë të votojnë për këtë gjë, është vendim i tyre”, – ka thënë Laporta.

Aleksandër Ceferin, presidenti i UEFA-s. Gazeta Si, 21 prill 2021

Sapo Mançester Siti konfirmoi tërheqjen nga Super Liga, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka uruar për këtë vendim. “Mirë se u kthyet në familjen e futbollit europian. U treguat inteligjentë, duke dëgjuar shumë zëra, mbi të gjitha atë të tifozëve. Duhet kurajë për të pranuar një gabim, por nuk kam dyshuar se do ta merrnit këtë vendim”, – u shpreh kreu i UEFA-s.

Ka reaguar me një komunikatë zyrtare edhe “Football Association”, që vlerëson kontributin e tifozëve për përmbysjen e situatës: “Kemi mësuar se klubet kanë vendosur ta braktisin Super Ligën. Futbolli anglez ka një histori të lavdishme, që bazohet në pjesëmarrjen e të gjithëve dhe të gjithë treguan se nuk e pranojnë një ligë të mbyllur. Ishte një projekt që do ta ndante lojën tonë. Në fakt, e ka bashkuar dhe për këtë duam të falënderojmë në mënyrë të veçantë tifozët që u dhanë zë principeve të futbollit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë