Futboll

Kaosi me Superioren, Federata vendos brenda javës për ndryshimet

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptarë të Futbollit duhet të marrë një vendim zyrtar në lidhje me skuadrat pjesëmarrëse të Superiores. Gazeta Si mëson se mbledhja e KE-së është programuar të zhvillohet brenda kësaj jave, duke qenë se koha po limitohet. Data zyrtare e nisjes së kampionatit të Superiores është 24 gushti, por me situatën aktuale vështirë se mund të fillojë në këtë datë.

Gjithmonë e më tepër shtohen zërat për ndryshim në 10-shen e skuadrave pjesëmarrëse në kampionatin elitar, por gjithçka do të marrë formë zyrtare pikërisht në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv. Me shumë mundësi, Federata do të zbresë Skënderbeun nga kategoria me logjikën e të vepruarit si anëtare e UEFA-s. Meqenëse korçarët kanë marrë një dënim në dy shkallë gjyqësore të këtij organi, atëherë edhe FSHF-ja duhet të veprojë me të njëjtin standard. Skënderbeu është ekipi i parë që rrezikon të humbasë elitën, ndërsa Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari janë gjithashtu të kërcënuar.

Nga një ndeshje e sezonit të fundit mes Skënderbeut dhe Luftëtarit, dy ekipe që rrezikojnë përajshtimin

Më 31 korrik skadon ultimatumi i sektorit të licencimeve për këto katër skuadra, që kanë borxhe të mëdha dhe nuk plotësojnë kriterin financiar, një nga më të rëndësishmit. Nga sa është parë gjatë kësaj periudhe, nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë dhe tani mbetet të shihet qëndrimi i FSHF-së: do të tolerojë, duke mbyllur njërin sy, apo do të veprojë me dorë të hekurt? Varianti i dytë ka pak mundësi të ndodhë, sepse klubet kandidate për t’u ngjitur në elitë nuk afrojnë siguri. Përkundrazi, Federata mund të bjerë nga shiu në breshër, ndaj dhe po mendohet mirë se çfarë duhet të bëjë me 4 klubet borxhlinj. Ndoshta dikush do të “digjet”, por të katërt duket e pamundur të dënohen.

Në gjithë këtë situatë pritet të përfitojë Dinamo, që mund të transformohet në një Skënderbe të ri, duke marrë lojtarët më të mirë të këtij ekipi, bashkë me drejtuesit. Shpresa për Superioren kanë edhe Besa, Besëlidhja dhe Kastrioti, skuadra që po ndjekin me shumë interes zhvillimet e fundit. Brenda kësaj jave pritet të ketë një vendim zyrtar, që sigurisht do të lërë shumë të pakënaqur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë