Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar një Qeverie Perëndimore që të mos mbështesë më financiarisht Institutin e Studimeve Politike. Ky është pretendimi që vetë ISP ka bërë publik përmes një deklarate të shkurtër, ku thotë se shkak është bërë puna e këtij Instituti në denoncimin e shkeljeve dhe rasteve kur deputetët kapen në konflikt interesi.
“ISP ka monitoruar për dy vjet respektimin e legjislacionit mbi konfliktin e interesit në parlament. Tema ishte aq e “nxehtë” dhe preku aq shumë interesat financiare sa Kuvendi nisi letër zyrtare kundër ISP tek një qeveri perëndimore, ku pak e shumë thuhej se në emër të popullit shqiptar kërkojmë ndërprerjen e mbështetjes për ISP. Natyrisht që qeveria perëndimore mbeti e habitur me letrën dhe vijoi mbështetjen. Korrupsioni politik ka qenë e mbetet shqetësim në Shqipëri dhe konflikti i interesit është një prej formave më të njohura të tij”, thotë ISP.
Instituti nuk e përcakton se cilës qeveri europiane i është dërguar ankesa e Kuvendit të Shqipërisë, por në faqen e tij në internet rendit partnerët dhe mbështetësit, mes të cilëve Qeveria holandeze, ambasadat e SHBA, Suedisë dhe Norvegjisë dhe fondacionet gjermane “Konrad Adenauer” dhe “Frierich Ebert”.
ISP mbikëqyr me detaje prej 2 vitesh veprimtarinë e Kuvendit dhe thotë se në këtë periudhë ka adresuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave disa shkelje flagrante. Mes rasteve ka qenë edhe një ndaj deputetit socialist, Sadri Abazi.
ISP thotë se deputeti akuzohet se ka shkelur ligjin e konfliktit të interesit dhe përfiton fonde nga shteti, akuzë mbi të cilën janë hequr dy mandate parlamentare. Instituti shton se ILDKP mori masa administrative ndaj Sadri Abazit, por çështja është në Gjykatën Administrative prej një viti, pasi deputeti e paditi këtë institucion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje