Përpara nisjes për në Tiranë, kapiteni i Crvena Zvezdës, Milan Borjan, ka folur për mediet vendëse në lidhje me ndeshjen e së martën në “Air Albania Stadium”. Portieri i ekipit serb i di shumë mirë historinë mes Serbisë dhe Shqipërisë, por në deklaratën e tij të shkurtër për përballjen me ekipin tonë kampion largon tensionin dhe flet vetëm për futboll.
“Është një ndeshje futbolli, nuk ka vend për tension. Ne do të shkojmë në Tiranë vetëm për një arsye, për të luajtur futboll. E dimë që duhet të japim më të mirën në fushë për të fituar. Duhet të jemi të përqendruar që nga minuta e parë e deri në fund për të marrë rezultatin që do të na çonte në raundin e tretë, që është një hap më pranë realizimit të qëllimit tonë, kualifikimit në fazën me grupe. Nuk duam të ketë tension në fushë dhe jashtë fushës. Duhet të mbrojmë portën dhe të shënojmë për të fituar”, – u shpreh për “fudbal.hotsport.rs” portieri dhe kapiteni i Crvena Zvezdës, Borjan, i cili ka nënshtetësi kanadeze.

Ndeshja Tirana-Crvena Zvezda luhet të martën, në orën 20:00. Edhe pse luhet pa tifozë, masat e sigurisë do të jenë mjaft të larta nga policia për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje. Ka zëra se klubi i Crvena Zvezdës ka kërkuar të shoqërohet nga policë serbë në Tiranë, por nuk është një lajm zyrtar. Crvena Zvezda do të vijë të hënën në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje