Politike

KAS rrëzon ankesën e PD-së për koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’

Gazeta Si – Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ka vendosur mos kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore të Partisë Demokratike për të zhbërë koalicionin “Shtëpia e Lirisë” për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit. Partia Demokratike kërkoi të shtunën shfuqizimin e vendimit që kërkoi regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Juristët e Partisë Demokratike thanë se kërkesa e paraqitur nga LSI-ja, PDK-ja dhe Komisioni i Rithemelimit, u dorëzua në kundërshti me kodin elektoral përpara se të regjistroheshin si parti.

PD kërkoi mosnjohjen e këtij koalicioni edhe për përdorimin e simboleve të saj nga “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” të Berishës, dhe se ky komision nuk figuron i regjistruar si subjekt zgjedhor dhe as si parti politike.

Sipas PD, marrëveshjes i mungon edhe një element tjetër i rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e numrit të kandidatëve nga secila parti politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për të garuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të mbahen më 6 mars, por pa ish-kryeministrin Sali Berisha.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, tha se në garë për 6 marsin me këtë koalicion, mund të futen vetëm dy parti, Lëvizja Socialiste për Integrim e kryesuar nga Monika Kryemadhi dhe Partia Demokristiane me kryetar Nard Ndokën.

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike nuk u pranua për shkak të simboleve që mban që i përkasin Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë