Politike

Kathimerini: ‘Dëbimi’ i Xhaçkës zbut qëndrimin ndaj Belerit?

Nga Gazeta ‘Si’ – Heqja e Olta Xhaçkës nga posti i ministres së Jashtme shqiptare nuk është lënë jashtë vëmendjes nga mediat greke. Analisti Stavros Papantoniou ka një koment me titullin: “Edi Rama dëboi ministren e Jashtme” e këtë e lidh me zhvillimet e fundit, përplasjet mes Athinës dhe Tiranës zyrtare për çështjen e arrestimit të Fredi Belerit.

“Kryeministri shqiptar Edi Rama largoi nga qeveria ministren e Jashtme Olta Xhaçka, e cila u zëvendësua nga Igli Hasani. 43-vjeçarja Xhaçka ka qenë një deputete e rëndësishme, me karrierë në ngjitje e Partisë Socialiste. Pasi para se të merrte Ministrinë e Jashtme shqiptare në vitin 2021, ishte ministre e Mbrojtjes për tre vjet. Ajo është e martuar me biznesmenin Artan Gaçi, i cili është nën vëzhgimin e parlamentit shqiptar dhe Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e diskutueshme të investimeve turistike në Himarë. Ish-ministrja kishte mbështetur linjën e “fortë” shqiptare për çështjen e arrestimit dhe burgosjes së Fredi Belerit dhe disa thonë se largimi i saj mund t’i japë mundësi Edi Ramës të ndryshojë qëndrim për këtë çështje”, shkruan analisti grek.

Ndërkohë që vetë Xhaçka në një reagim të saj më 31 gusht do t’i kundërpërgjgjej homologut të saj grek në lidhje me qëndrimet për Belerin.

“Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grekë të jenë të vetmit që kanë të drejtë,kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare! Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu: Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke. Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar. Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëjë betimin si kryebashkiak. Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu”, do të reagonte Xhaçka. 

Teoria e hedhur nga analisti grek mbetet ende për t’u parë nëse do të vërtetohet. Çka ka shumë pak gjasa të ndodhë për momentin, pasi vetë Rama publikisht mban të njëjtin qëndrim siç ishte edhe reagimi më i fundit i Xhaçkës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë