Bota

KE heton Gjermaninë për shkelje të së drejtës europiane

Komisioni Europian vendosi këtë të mërkurë të nisë një procedurë hetimore ndaj Gjermanisë për shkelje të rregullave dhe ligjeve mbi të cilat funksionon Bashkimi Europian. Nisma është ndërmarrë një vit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjermane që doli kundër një vendimi të Gjykatës Europiane duke rrëzuar pjesë të politikave anti-krizë të Bankës Qendrore Europiane.

Gjykata Kushtetuese gjermane cilësoi si pjesërisht antikushtetuese blerjet e obligacioneve nga ana e Bankës Qendrore Europiane, megjithëse Gjykata Europiane i kishte miratuar dhe argumentuar këto blerje me situatën e pazakontë që lidhej me krizën financiare që shpërtheu pas vitit 2008.

Por, gjykatësit kushtetues gjermanë nga ana e tyre argumentuan, se BQE me programin që filloi në vitin 2015, e tejkaloi mandatin e saj për politikën financiare, se vendimet e saj nuk janë argumentuar gjerësisht dhe procedura nuk është verifikuar plotësisht.

Pas nisjes së këtyre procedurave, Komisioni duhet t’i kërkojë Gjermanisë që të respektojë detyrimet që lidhen me të drejtën europiane dhe vendimin e Gjykatës Europiane dhe nëse kjo nuk bëhet mund t’i drejtohet sërish Gjykatës Europiane me një padi ndaj Gjermanisë.

Vetë KE synon që të shmangë këtë skenar, duke deklaruar se është në kontakte të vazhdueshme me qeverinë gjermane për të gjetur një zgjidhje pa qenë nevoja e përfshirjes së Gjykatës Europiane.

Në Gjermani, vendimi i KE u përshëndet nga Të Gjelbërit, që thanë se kjo është rruga e vetmje për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi juridik. Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese gjermane ka vënë në mëdyshje të kompetencat dhe interpretimet e llojit përfundimtar të së drejtës europiane nga Gjykata Europiane e së Drejtës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë