Bashkimi Europian ka njoftuar zyrtarisht sot se do të ndajë 9 miliardë euro për Balkanin Perëndimor në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe rimëkëmbjes së rajonit. Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi se fondet do të shkojnë në fushat e transportit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital, si edhe për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vende pune.
“Sot ne paraqesim planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për të rritur zhvillimin ekonomik dhe rimëkëmbjen e rajonit. Ne do të mobilizojmë deri në 9 miliardë euro financim për anijet kryesore të investimeve në transport, energji, tranzicionin të gjelbër dhe dixhital, për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vende pune”, deklaroi Varhelyi para Komisionit të punëve të jashtme në Parlamentin Europian, ditën e sotme. Investimet mësohet se do të jepen për periudhën 2021-2027
“Investimet do të kryhen nëse qeveritë do të zbatojnë reformat e integrimit. Shqipëria është pranë përmbushjes së kushteve për konferencën e parë ndërqeveritare”, është shprehur komisioneri Varhelyi. “Ky propozim varet nga aprovimi përfundimtar i buxhetit afatgjate të BE-së 2021-2027.”
Ai u ndal tek çështja e reformës zgjedhore në Shqipëri Brukseli po e ndjek me vëmendje, ndërsa uroi që të mos kthehet në problem për të ndarë Tiranën nga Shkupi për konferencën e parë ndërqeveritare për negociatat.
“Po e shohim çështjen e reformës zgjedhore me sy të hapura mirë dhe do shkoj t’i shoh gjërat vetë në terren” tha ai, referuar vizitës që do të zhvillojë nesër në Shqipëri. “Shpresoj që kjo mos të kthehet në një çështje për të ndarë të dyja vendet për konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo vërtetë nuk do ishte mirë” theksoi ai.
Gjatë prezantimit të raportit të KE mbi progresin në Ballkanin Perëndimor, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi u ndal tek Shqipëria për të theksuar se rritja e investimeve do të bëhet e mundur vetëm në bazë të reformave ekonomike, forcimit të sundimit të ligjit e duke luftuar korrupsionin.
Gjatë fjalës së tij Varhelyi ka theksuar se në Shqipëri ka pasur përparime me reformat dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Këto reforma janë të nevojshme për të pasur investime të jashtme në mënyrë të qëndrueshme”, shtoi Varhelyi.
“Shqipëria ka ndjekur me insistim rrugën e reformave dhe autoritetet shqiptare vazhdojnë të tregojnë se janë të përkushtuara në realizimin e tyre. Shqipëria ka bërë një progres të madh dhe është shumë afër plotësimit të të gjitha kushteve për arritjen e realizimit të të qenit pjesë në Konferencën e parë ndërqeveritare. Është shënuar një progres i jashtëzakonshëm me Reformën elektorale me Marrëveshjen e Nënshkruar me 5 Qershor dhe implementimin e rekomandimeve të OSBE –ODIHR. Po vazhdohet me implementimin e reformës në Drejtësi, po ashtu po vazhdon edhe Lufta kundër krimit të organizuar. Janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit. Shqipëria gjithashtu duhet të vazhdojë me reformat e saj edhe në periudhën pre zgjedhore”, thaVarhelyi.
Komisioneri Varhelyi konfirmoi se do të udhëtojë të mërkurën drejt Ballkanit Perëndimor për të prezantuar planin e ri ekonomik dhe të investimeve, si dhe raportin vjetor për çdo vend të rajonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje