Ne rrjet

KE alarm për Malin e Zi: Tensionet etnike mes shqiptarëve, serbëve e malazezëve janë rritur

Këshilli i Europës ka ngritur sot alarmin se ndarjet ndëretnike në Malin e Zi (midis malazezëve, serbëve dhe shqiptarëve) janë rritur ndjeshëm, duke i bërë thirrje autoriteteve të punojnë për uljen e tensioneve dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes.

KiE ka paralajmëruar të hënën se ndarjet në Malin e Zi midis bashkësive etnike po thellohen, duke theksuar se përdorimi i gjuhës së urrejtjes është rritur ndjeshëm përgjatë muajve të fundit.

Në raportin e tij mbi Konventën për Mbrojtjen e Zbatimit të Pakicave Kombëtare në Malin e Zi, Këshilli vuri në dukje se autoritetet kanë thënë që distancat sociale midis pothuajse të gjitha grupeve etnike janë rritur.

“Ndarjet midis komuniteteve mund të thellohen dhe të bëhen më të dukshme. Janë vërejtur edhe incidente të mosmarrëveshjes fetare midis bashkësive të ndryshme fetare, “tha raporti.

“Gjuha e urrejtjes ka nxitur krim, por ka pak monitorim të mediave sociale nga autoritetet,” shtoi raporti.

Ai paralajmëroi se gjuha e urrejtjes dhe abuzimi verbal në media dhe rrjetet sociale janë përkeqësuar dhe u kërkoi autoriteteve të sigurohen që raste të tilla të hetohen, ndiqen penalisht dhe sanksionohen në mënyrë adekuate.

Këshilli i Evropës u bëri thirrje autoriteteve gjithashtu të sqarojnë përdorimin e simboleve të tjerë shtetërorë në Malin e Zi, pas një serë tensionesh në lidhje me përdorimin e flamurit kuqezi nga shqiptarët e Malit të Zi.

“Ekziston një mungesë qartësie rreth shfaqjes së simboleve të shteteve të tjera. Autoritetet duhet të qëndrojnë vigjilente për të parandaluar përçarjet brenda shoqërisë malazeze përgjatë vijave etnike dhe fetare dhe për të inkurajuar një frymë tolerance, “tha raporti.

Ligji i Simboleve Kombëtare të Malit të Zi nuk i ndalon pakicat etnike të shfaqin simbolet e tyre kombëtare por kërkon që ata gjithashtu të shfaqin flamurin kombëtar përkrah tyre ose të përballen me gjobë prej 100 dhe 500 euro.

Në 2019, policia gjobiti disa shqiptarë për shfaqjen e flamurit kuqezi gjatë festivaleve në qytetin e Tuzit. Mali i Zi është një shtet multi-etnik dhe nuk ka asnjë komunitet që përbën mbi gjysmën e popullsisë së tij. Rreth 45 për qind e popullsisë së saj prej rreth 630,000 njerëz identifikohen si malazezë, rreth 29 për qind si serbë, rreth 11 për qind si boshnjakë dhe 5 për qind si shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë