Në Komisionin Europian është ngritur shqetësimi se një ligj i miratuar nga Gjermania mund të jetë në kundërshtim me rregulloren e përgjithshme të Bashkimit Europian për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.
Akti i miratuar nga qeveria gjermane lidhet me të drejtën e qytetarëve për të mos u identifikuar në internet gjatë blerjes së shërbimeve që lidhen me marrjen e shërbimeve televizive dhe mediatike.
Sipas parashikimit të këtij akti, ofruesit e shërbimeve duhet t’u garantojnë klientëve mundësinë për të mos u identifikuar, për të përdorur një pseudonim, ose për të qenë anonim gjatë kryerjes së pagesave për marrjen e shërbimit.
Ky parashikim është ngritur si çështje për vlerësim në Komisionin Europian nga eurodeputeti gjerman Patrick Breyer, që njihet gjithashtu edhe si aktivist për të drejtat e digjitale të qytetarëve. Ai i kërkon Komisionit që të përcaktojë nëse akti në fjalë bie apo jo ndesh me rregulloret e përgjithshme të mbrojtjes së të dhënave.
Shqetësimit të tij, Komisioni i është përgjigjur duke nënkuptuar se akti në fjalë nuk përplaset me direktivat e BE-së në këtë fushë dhe njeh të drejtën për të mos u identifikuar në internet.
“Rregullorja e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale dhe direktiva ePrivacy nuk e adresojnë çështjen e të drejtës së anonimatit gjatë përdorimit të shërbimeve dhe komunikimeve elektronike, as direktiva E-Commerce (E-Tregtia) nuk e ndalon të drejtën e përdorimit anonim të shërbimeve të internetit, me përjashtim të tregtarëve që ofrojnë shërbime në disa platforma të caktuara online”, thuhet në deklaratën e KE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje