Politike

KE: Nuk ndërhyjmë në zgjedhje. Gabriel ishte e ftuar, foli për sfidat e arsimit në Ballkan që më 18 mars

Komisioni Europian thotë se nuk komenton palët e treta, duke iu referuar këtu deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, që ngriti dyshimet se po ndërhyn në proceset e brendshme zgjedhore të një vendi kandidat për anëtarësim.

Gjithsesi, KE sqaron se dalja e komisioneres së Arsimit, Mariya Gabriel në një takim online ku ndodhej edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ishte pjesë e një tryezë të përbashkët për sfidat e arsimit rajonal të organizuar nga një universitet austriak dhe jo takim elektoral i opozitës shqiptare.

Zëdhënës të KE dhe të vetë Komisioneres Gabriel thonë se ajo nuk ka “diskutuar” me askënd për arsimin, ashtu sikundër thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike në lidhje me këtë tryezë, por thjesht ka mbajtur fjalën e saj.

“Komisioni nuk komenton mbi komentet e palëve të treta. Lutemi të keni parasysh që Komisionerja Mariya Gabriel mori pjesë në Tryezën e 18-të Rrumbullakët mbi Arsimimin, me ftesë të Universitetit Modul të Vjenës, i cili është organizatori i këtij eventi”, thuhet në një deklaratë të zëdhënëses së KE, Anna Pisonero për Euroneës Albania.

Pisonero thotë se pjesëmarrja e komisioneres ishte e kufizuar vetëm në dhënien e një fjalimi kryesor.

“Fjalimi, i cili është i publikuar në faqen e internetit të Komisionit, është i fokusuar mbi iniciativat e fundit europiane në fushën e arsimimit dhe të kërkimit, të cilat vlejnë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Komisionerja nuk bëri ndonjë deklaratë për ndonjë parti politike, por mbajti një fjalim mbi çështjet që kishin të bënin me fushën e saj”, thuhet në reagim.

Më herët, në një reagim për A2, vetë Mariya Gabriel konfirmon të njëjtën deklaratë të KE-së, por duke sqaruar se takimi në fjalë ishte mbajtur që më 18 mars.

“Pjesëmarrja ime ishte e kufizuar në mbajtjen e një fjalimi. Fjalimi përqendrohej në iniciativat e reja dhe iniciativat e ardhshme evropiane në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, që janë të rëndësishme edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë”, shprehet zëdhënësja e Gabriel.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë