Futboll

Keidi Bare një thesar, Malaga refuzon 2 mln euro për lojtarin kuqezi

Një ofertë prej 2 milionë eurosh për mesfushorin Keidi Bare është refuzuar nga Malaga, klubi spanjoll që merr pjesë në Ligën 2 në Spanjë dhe që duhet të sistemojë sa më parë bilancin financiar për të mos u dënuar. Futbollisti fierak i Kombëtares shihet si “kamerdare” shpëtimi për Malagën, që nuk kënaqet me 2 milionë eurot e ofruara nga Espanjoli, ekipi i Ligës 1.

Lajmi është bërë i ditur nga “As”, që saktëson po ashtu se Malaga kërkon të paktën 3 milionë euro për të shitur Baren, një nga pikat më të forta të skuadrës. Mesfushori 22-vjeçar, i rritur tek Atletiko Madrid, pëlqehet nga disa skuadra, ndaj dhe Malaga nuk nxitohet aspak. E ardhmja e Bares me siguri do të jetë në nivelin elitar të futbollit spanjoll, ose në një kampionat tjetër të rëndësishëm. Malaga do të vendosë për shitjen sapo të marrë ofertën e duhur, që do t’i jepte një dorë në zgjidhjen e krizës financiare.

Keidi Bare, gjatë një ndeshje me Malagën. Gazeta Si, 20 korrik 2020

Edhe vetë Keidi Bare, titullar i Kombëtares kuqezi, nuk do të qëndrojë më në një skuadër që lufton për mbijetesë në ligën e dytë. Malaga mban vendin e 15-të aktualisht në kampionat dhe me këtë skuadër, përveç fierakut, aktivizohet edhe sulmuesi Armando Sadiku. Bare kërkon një klub më kompetitiv, ku mund të rritet profesionalisht dhe dita e largimit nga Malaga duket shumë afër. Shitja e tij do të mbushë arkat e Malagës, që e konsideron thesar në këtë moment.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë