Politike

Këlliçi dorëzon në SPAK 653 faqe për inceneratorët: Po përgatisim tre kallëzime për Ramën e Veliajn  

Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi, tha përmes një konference për shtyp se ai me një grup ekspertësh në parti i kanë përcjellë zyrtarisht kreut të SPAK, Altin Dumani një material (653 faqe), lidhur me dosjen e inceneratorëve

“Në këtë material, Grupi i Punës ndihmon në mënyrë thelbësore për hetimin e kësaj çështje, sidomos lidhur me deklarimet e rreme të dhëna në Letër Porositë, nga aksionerët e sotëm. Këtë material po i’a përcjellim në mënyrë urgjente z. Altin Dumani, pasi ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të financimit të këtij projekti korruptiv, me para të dyshimta, për të cilat i takon SPAK të hetojë nëse janë para të zyrtarëve të veshur me pushtet, apo janë para të grupeve kriminale si Ndragheta, etj.

Sot nuk po bëjmë publik, asnjë dokumentacion, pasi besojmë fort se z. Dumani, pas ditës së sotme, do të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore deri në zbardhjen e plotë të kësaj afere”,  tha Këlliçi. Megjithatë, ai sqaroi se materiali voluminoz përmban të dhëna autentike si: Kontrata të nënshkruara mes palëve, dokumentacion zyrtar të cilin SPAK nuk e ka gjetur pranë institucioneve shqiptare, komunikime elektronike mes palëve si dhe shumë dokumente financiare.

“Partia Demokratike mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj afere korruptive, e cila pa diskutim ka ideatorë dhe përfitues kryesorë dyshen Rama – Veliaj, për të cilët po përgatiten 3 kallëzime të reja pranë SPAK.

Pushteti arbitrar dhe korruptiv i Edi Ramës, mund t’i caktojë kryetarin opozitës, mund t’i caktojë grupin parlamentar, mund t’i mohojë komisionet hetimore parlamentare, por asnjëherë misionin e saj. Ne jemi të vendosur që çështjet publike, të parave të taksapaguesve, t’i ngremë me forcë dhe të kërkojmë zgjidhje nëpërmjet çdo mënyre të ligjshme. Mega-afera e inceneratorëve është vetëm njëra prej tyre”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë