Kryenegociatori i Shqipërisë për BE-në, Zef Mazi, e përmendi disa herë (gjatë prezantimit të tij nga kryeministri Edi Rama) rolin që ekipi negociator ka për zhvillimin e negociatave të aderimit të Shqipërisë në BE.
Mazi hapi garën për tre- katër vende në detyrën e këshilltarit që do të jenë pjesë e kabinetit të tij, pranë kryeministrisë.
Në funksion të kësaj, kryeministri Edi Rama i dha një kompetencë të shtuar Zef Mazit për të zëvendësuar këdo anëtar të ekipit negociator që nuk i përgjigjet sfidës së kërkuar edhe pse asgjë e tillë nuk thuhet në vendimin mëhershëm të Këshillit të Ministrave për përbërjen dhe rregullat e funksionimit të grupit negociator.
Kujdesi i shtuar si nga ana e Mazit ashtu edhe nga ana e Ramës për rëndësinë e grupit negociator në fakt duhet të ishte pjesë e sfidës që kur Këshilli i Ministrave miratoi përbërjen e tij.
Sepse Zef Mazi, përpos tre- katër emrave që do t’i përzgjedhë vetë si pjesë e stafit të ngushtë, do të duhet të bashkërendojë punën me një taborë zv-ministrash (14 të tillë) secili përgjegjës për kapituj të veçantë sipas dikasterit që përfaqësojnë.
Përveç këtij fakti, asnjë kriter tjetër nuk është ndjekur gjatë caktimit të përbërjes. Kështu, Fjoralba Caka, zëvendësministre e Drejtësisë do të jetë negociatore përgjegjëse për kriteret politike dhe kapitulin 23 të legjislacionit të Bashkimit Evropian që i përshtatet dikasterit ku punon. E njëjta proçedurë edhe për Romina Kukon, zëvendësministre e Brendshme; Sokol Dedja, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme; Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë e deri tek Reida Kashta, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Juliana Latifi, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, apo Ervin Mete, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Pra, një radhitje krejt formale, sipas dikasterit që përfaqësojnë, pa u futur në eksperiencën e gjithësecilit në raport me integrimin europian.
Sepse në fund të fundit ky proçes është thellësisht teknik dhe impenjativ për zbatimin e kapitujve të veçantë.
Çdo anëtar i Grupit Negociator duhet të paraqesë të paktën çdo tre muaj te Kryenegociatori (apo me kërkesë të tij në një afat tjetër) një raport mbi ecurinë e negociatave në kapitujt, për të cilët është përgjegjës.
Kryenegociatori do të drejtojë punën e Grupit Negociator; udhëzon Sekretariatin e Integrimit Evropian në zbatimin e detyrave përkatëse; siguron unitetin e veprimit të Grupit Negociator duke bashkërenduar punën e tij si dhe përfaqëson Grupin Negociator duke nënshkruar dhe duke përcjellë aktet e vendimet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje