Është shoqëruar me debate mbledhja në Komisionin e Mediave, ku ka qenë e pranishme ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Besa Shahini, pasi ajo tha se është kundër propozimeve për ndryshimet ligjore të arsimit të lartë. Përpara deputetëve, ajo tha se të gjitha kërkesat e studentëve janë adresuar në Paktin për Universitetin dhe nuk ka nevojë për ndryshime në ligj.
“Nuk i shohim të domosdoshme që këto ndryshime të adresohen si ndryshime ligjore, ne me VKM dy nga çështjet e studentëve i kemi adresuar tashmë”, tha Shahini.
Sipas saj, studentët duan rritjen në 50% të numrit të përfaqësimit në Senat, ndërkohë që kjo nuk është e mundur, pasi pjesëmarrja në Senat kërkon gradë dhe nuk është një praktikë që ndiqet as në vende të tjera.
“Studentët duan rritje nga 10-50% në organet për vendosjen e dekanëve dhe rektorëve dhe një përfaqësues nga studentët në bordet e menaxhimit. Në zgjedhjen e rektorëve dhe dekanëve, studentit i kërkohet ekspertizë se kush do ta udhëheqë universitetin. Nuk e kemi parë një model që studenti të ketë një vendimmarrje të tillë, studenti hyn e del aty, nuk qëndron kohë të gjatë nuk mund të jenë vendimmarrës për ata që do të jenë udhëheqës, për ata që do të jenë aty për kohë më të gjatë”, tha ndër të tjera ministrja.
Ndërkohë që theksoi se “Te portali i transparencës do të botohen të gjithë vendimet e senatit dhe buxhetet që edhe studentët e papërfaqësuar të jenë të informuar, çdo tre apo katër muaj informacioni do të azhornohet dhe të gjithë do të ketë të njëjtën qasje, që të dinë se si shpenzohet buxheti për universitetin”, u shpreh Shahini.
Menjëherë pas fjalës së ministres së Arsimit ka pasur kontestime nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja demokrate Albana Vokshi.
Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj replikoi me ministren, duke thënë se nuk janë argumente serioze lidhur me nismën e propozuar, pasi nuk keni qëllim të zgjidhni kërkesat e studentëve.
“Nuk sollët argumente serioze. Duhet të vinit më e përgatitur. Ju s’keni qëllim të zgjidhni kërkesat e tyre. Problemi i studentëve nuk janë pedagogët, por Ministria e Arsimit dhe qeveria”, tha ndër të tjera deputetja Mehmetaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje