Lajme

Ekstradohen 4 shtetas për vepra të ndryshme penale

Vijon bashkëpunimi i Interpol Tirana me homologët për identifikimin e vendndodhjes, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë dy ditëve të fundit janë ekstraduar 4 shtetas të kërkuar për vepra të ndryshme penale.
Sot policia ka arrestuar një 45-vjeçar, të dënuar nga drejtësia italiane me 11 vite burg për trafik droge. I arrestuari është Jorgo (Gazment) Selmani nga Cërriku. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Barit e kishte dënuar në mungesë, ndërsa pas prangosjes do të ekstradohet në Itali për të vuajtur dënimin.
Po ashtu, një 36-vjeçar, lindur në Gjermani dhe banues në Greqi, është arrestuar në pikën kufitare të Kapshticës për llogari të drejtësisë gjermane. Arrestimi i shtetasit me iniciale D. P u bë me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë ku edhe është dënuar me 6 vjet burg për krime që lidhen me drogën. Nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të Kapshticës, këtij shtetasi i janë konstatuar edhe disa pajisje elektronike, të cilat ky i fundit nuk i kishte deklaruar në kufi me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Dje është realizuar edhe ekstradimi nga Budapesti (Hungari) drejt Shqipërisë, i shtetasit maqedonas A. A, 47 vjeç, lindur në Maqedoni. Shtetasi A. A, me vendimin penal të Gjykatës së Apelit Durrës, është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Gjithashtu, po nga Interpol Tirana u ekstradua nga Italia dhe iu dorëzua patrullës së Policisë së Burgjeve shtetasi në kërkim ndërkombëtar S. M., 26 vjeç, banues në Durrës, sepse Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë