Politike

Kërkohet dorëheqja e Ardi Veliut, Rama: Ta harrojnë! Pushteti merret me votë jo me djegie

Në rrjetet sociale është shpërndarë një tjetër njoftim  ku tanimë kërkohet; “largimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, reformimi i policisë së shtetit dhe ndalimi i dhunës policore”.

Protestuesit kanë njoftuar së do të mblidhen në orën 18:00 (kësaj here) para selisë së Kryeministrisë në Tiranë dhe në sheshin kryesor të çdo qyteti.

Pas shpërndarjes së kësaj thirrje ka reaguar ashpër edhe kryeministri Edi Rama:

“Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!

Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj!

Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!

Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë!”, shkruan Rama në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë