Kuvendi ka nisur shqyrtimin e ndryshimeve të propozuara nga deputeti Agron Duka në ligjin për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Projektligji po diskutohet në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, që është edhe komisioni përgjegjës për të.
Para këtij Komisioni, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë thanë se mbështesin një pjesë të mirë të propozimeve, përfshirë këtu edhe pikat që shmangin diskriminimin në shpërndarjen e subvencioneve për fermerët.
Agron Duka propozon që fondet e programit të rimbursimit të mos kenë kushtëzime, ose përjashtime që lidhen me sipërfaqen minimale të tokës, numrin e krerëve në blektori, apo kritere të tjera përjashtuese nga mbështetja financiare.
Diskutimet në Kuvend mbërrijnë në një kohë që një raport i Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) e rendit Shqipërinë të fundit në rajon sa i takon shumës financiare për mbështetjen e fermerëve. Sipas këtij raporti, Shqipëria jep vetëm 3 euro mbështetje direkte për hektarë tokë, në një kohë që vendet e rajonit dhe të BE-së e kanë këtë shifër disa herë më të lartë.
Në të njëjtin raport FAO e radhit mungesën e mbështetjes financiare për fermerët si një prej shkaqeve kryesore se pse fermerët po braktisin fshatin.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë u pyetën në lidhje me skemën e naftës falas për fermerët. Sipas Ministrisë, deri më tani nga kjo skemë kanë përfituar rreth 20 mijë fermerë deri më tani.
“Vjet kanë aplikuar mbi 26 mijë fermerë, 19 mijë kanë përfituar. Mbi 50 mijë kanë aplikuar këtë vit dhe brenda datës 2 qershor janë shpërndarë për thuajse 20 mijë fermerëve. Kanë qenë ata që do të mbillnin kulturat pranverore dhe nafta u duhej më shpejt se të tjerët. Ne kërkojmë dhe duam fonde që t’i rimbursojmë të gjithë pa përjashtuar asnjë nga skema”, thanë përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje