Gjykata Kushtetuese ka vendosur që mos të kalojë për shqyrtim kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për anti-kushtetueshmërinë e drejtimit të Akademisë së Shkencave nga Skënder Gjinushi për arsye procedurale.
Deputetja Ina Zhupa bën të ditur se ata do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese përmes një kërkese të re, në lidhje me papajtueshmërinë e ushtrimit të funksionit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave si dhe verifikimin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.
Sipas Ina Zhupës Akademia e Shkencave drejtohet nga një person që është vendosur në kundërshtim me kërkesat e Kushtetutës dhe ligjit, pa një akt emërimi të nxjerrë nga organi kompetent që parashikon Kushtetuta, duke bërë të mundur që ky mandat antikushtetues të ushtrohet për gati 4-vite të tërë.
“…Moszgjidhja e kësaj çështje, ka sjellë si pasojë që, Akademia e Shkencave, të drejtohet nga një person që është vendosur aty në kundërshtim me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit, pa një akt emërimi të nxjerrë nga organi kompetent që parashikon kushtetuta, duke bërë të mundur që ky mandat antikushtetues të ushtrohet për gati 4-vite të tërë.
Nëse në krye të institucioneve të përmendura nga Kushtetuta, vendosen njerëz, pa një proces kushtetues dhe pa një akt emërimi të organit kompetent, dhe kjo situatë absurde është bërë e mundur nga ndërhyrja favorizuese legjislative e Kuvendit në proces, atëherë jemi përpara pengimit të ushtrimit të kompetencave dhe zbehje të rolit dhe të statusit që Kushtetuta i ka dhënë organit të emërtesës (Presidentit të Republikës).
Nuk duhet të harrojmë që e gjitha kjo ndodhte në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale, dhe Presidenti i Republikës u sulmua përmes tre proceseve hetimore parlamentare për shkarkimin e tij”, shkruan ajo
“…Ne nuk do të rreshtim se kërkuari përpara Gjykatës Kushtetuese jo vetëm interpretimin e nenit 92, shkronja “g” të Kushtetutës, por dhe shqyrtimin në themel të kësaj çështje dhe të këtyre lloj situatave, që të mos ketë më përsëritje që të dalin Gjinushër të tjerë që qëndrojnë në krye të akademisë, pa dekret emërimi siç e kërkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, nënvizon Zhupa
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje