Politike

Këshilli Bashkiak i kërkon llogari Dritan Lelit për administrimin e Vlorës: Të vijë edhe Rama në mbledhje

Pakënaqësia e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli, i cili nuk pranoi të ishte në listën e kandidatëve për deputet i këtij qarku para 25 Prillit, është reflektuar edhe në punën e Lelit dhe raportit të këtij të fundit me Këshillin Bashkiak.    

Një pjesë e konsiderueshme e këshilltarëve në Këshillin Bashkiak të Vlorës kanë kërkuar mbledhje jashtë radhe për të trajtuar shqetësimet e komunitetit të qytetit bregdetar për gjendjen e shërbimeve vendore.

Ata kërkojnë që të kenë një ballafaqim me kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli.

Një nga propozimet e tyre është edhe ngritja e menjëhershme e këshillit për shërbimet publike të Bashkisë Vlorë.

“Situata alarmante me shërbimet bazike të pastrimit, mirëmbajtjes, ndriçimit dhe me trajtimin e ankesave dhe të problemeve të qytetarëve kërkon reagim të menjëhershëm.

Ne po e ndeshim çdo ditë në kontaktet me qytetarët dukurinë e rënies së nivelit të shërbimeve dhe ndjejmë përgjegjësi t’i përfaqësojmë shqetësimet e tyre.

Aq më tepër sot kur qeveria dhe shteti kanë bërë gjithçka për të lehtësuar sezonin turistik, Bashkia Vlorë nuk mund të kthehet në delen e zezë të turizmit shqiptar për plehra, gropa dhe indiferentizëm fyes nga pushteti vendor”, thuhet në letrën e drejtuar ndaj Migena Ballës, kryetare e Këshillit Bashkiak.

Në mbledhje propozohet që të ftohen edhe deputetët e Vlorës përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, i cili është njëkohësisht deputet në këtë qark.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë