Politike

Këshilli i Sigurisë, Meta: Rusia të kthehet në rrugën e dialogut

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, (ku Rama u përfaqësuar me Arben Ahmetajn) Presidenti i Repuiblikës, Ilir Meta tha përmes një deklarate për mediat se, “dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran”.

“Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën.

Si President i Republikës dhe në emër të popullit shqiptar, shpreh dhembjen e thellë për jetët e humbura gjatë këtij sulmi, dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Në këto momente dramatike, shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës, dhe institucionet e saj demokratike.

Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO, dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u bashkohet thirrjeve të Aleancës dhe të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar Rusisë për të braktisur menjëherë këtë rrugë të dhunës dhe agresionit, të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe të kthehet në rrugën e dialogut.

Shqipëria qëndron në unison me NATO dhe BE, dhe do të zbatojë të gjitha angazhimet e mara në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët.

Bashkë me Aleancën dhe Bashkimin Europian do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, tha Meta .


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë