Ne rrjet

Khamenei akuzon SHBA-të dhe Izraelin për protestat e dhunshme në Iran, të paktën 133 të vdekur

Gazeta Si – Është 16 shtator 2022, kur Mahsa Amini, 22 vjeçe, vdes pas tre ditësh në koma në Teheran.

“Infarkt në zemër”, thonë dokumentet zyrtare, por familja dhe miqtë nuk kanë dyshime: Mahsa vdiq pasi u arrestua dhe u rrah nga policia morale iraniane – Gasht-e Ershad – e krijuar në vitin 2005 për të kontrolluar veshjet e vajzave dhe për t’i shtypur ato.

Mahsa u ndëshkua dhe më pas u vra për “hixhab të keq”, një tufë flokësh i doli nga velloja dhe për këtë arsye ajo nuk e mbante siç duhet.

Protestat nisin në qytetin e lindjes së Aminit, Saqqez, Kurdistan dhe ditë pas dite shtrihen në të gjithë vendin.

Mijëra njerëz, mijëra vajza, pushtojnë rrugët dhe sheshet iraniane dhe duke thirrur “vdekje diktatorit” po kërkojnë lirinë, aty ku ajo e grave është në nivelin më të ulët.

Përveç rregullave strikte që lidhen me veshjen (vajzat mbi 9 vjeçe duhet të mbajnë mbulesë në publik), ekzistojnë dhjetëra rregulla që rregullojnë jetën e grave dhe i bëjnë ato qytetare të rendit të dytë.

Vetëm disa shembuj: nuk mund të kërkojnë një divorc dhe burrat kanë të drejtën absolute për kujdestarinë e fëmijëve, gratë e martuara duhet t’i kërkojnë burrave të tyre leje për të punuar, madje edhe të kënduarit, kërcimi, shkuarja në stadiume ose udhëtimi vetëm, nuk lejohet.

Raporti i “Global Gender Gap”, mbi barazinë gjinore i publikuar në vitin 2022, thotë se Irani, i drejtuar nga Ayatollah Ali Khamenei dhe presidenti Ebrahim Raisi, renditet i 143-ti nga 146 vendet e analizuara.

Ligji për detyrimin e mbulesës ekziston që nga viti 1979, por nën qeverisjen e Hassan Rohanit, i cili favorizon barazinë, gjendja e grave iraniane ishte përmirësuar shumë.

Që kur ultra-konservatorët Khamenei dhe Raisi kanë qenë në pushtet, vendi ka bërë hapa gjigantë prapa për sa i përket të drejtave dhe lirive.

E ndërsa në parlament deputetët bërtasin “vdekje kryengritësve” dhe “faleminderit polici”, Ajatollahu e cilëson vdekjen e Mahsa Aminit “një aksident të trishtë të shkaktuar nga pasiguria që përjetohet në rrugë”.

Në këtë klimë represioni dhe gënjeshtre, policia e regjimit shtyp protestat me dhunë dhe në vetëm dy javë ka 133 të vdekur mes demonstruesve.

Në shesh, vajzat, krenare si luftëtare, djegin mbulesat, simbol të shtypjes së tyre dhe presin flokët në shenjë zie dhe zemërimi, një gjest i fuqishëm që vjen nga një ritual i lashtë iranian dhe i Lindjes së Mesme.

Gërshërë të të gjitha llojeve, bishta të tërhequra dhe të prera përgjysmë, videot që bëhen virale në Tik Tok, Instagram dhe Twitter me hashtag tashmë universal #mashaamini.

Këto të reja shihen duke qeshur, duke bërtitur, duke kërcyer, duke thyer barrierat e ligjeve të pakuptimta që u janë nënshtruar për dekada.

Me flokë të shkurtër, ato kërkojnë që bota të shohë, të dëgjojë dhe të ndihmohet për të ndalur brutalitetin e regjimit.

Presidenti Raisi, tha në një intervistë se duhet bërë dallimi mes protestave dhe “trazirave”.

Sipas tij, qeveritë e huaja dhe lëvizjet e tjera janë fajtore që kanë manipuluar nga larg ato që i cilësojnë si “trazira” të nxitura për të destabilizuar vendin.

Khamenei, i cili akuzon drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, konfirmon tezën.

Përveç shumë protestuesve dhe disa gazetarëve, në këto dy javë u arrestuan një ish-futbollist i kombëtares dhe një muzikant, të dy të akuzuar se kanë postuar komente në rrjetet sociale në mbështetje të protestave.

Faezeh Hashemi, vajza e ish-presidentit iranian, Akbar Hashemi Rafsanjani, u arrestua gjithashtu në Teheran.

Përplasjet kanë lëvizur edhe brenda universiteteve. Universiteti Sharif, një nga më prestigjiozët në vend, ishte i rrethuar nga milicitë Basij. Ka pasu me dhjetëra arrestime mes studentëve të universitetit.

Të premten më 30 shtator, “Amnesty International” denoncoi arrestimin e 9 të huajve të konsideruar si “bashkëpunëtorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë