Në Korenë e Veriut ndodhi një “incident i rëndë” në betejën kundër koronavirusit, shkaktuar nga “paaftësia dhe papërgjegjshmëria e disa zyrtarëve të lartë”.
Kështu u shpreh Kim Jong-un në një takim të zgjeruar të Byrosë Politike që duhet të ketë qenë dramatik, duke pasur parasysh fjalët e Marshallit, i cili akuzoi drejtuesit si “dembelë kronikë” për mosrespektim të udhëzimeve shëndetësore dhe shkaktimin e “një krize të madhe” për sigurinë e vendit dhe njerëzit.
Disa anëtarë të Byrosë Politike, sekretarët e komitetit qendror dhe zyrtarë, u sulmuan në mbledhjen urgjente, raporton agjencia shtetërore e ;ajmeve, KCNA. “Na duhet një revolucion në administrimin e personelit”, – njoftoi kreu i regjimit koreano-verior.
Asnjë detaj nuk është zbuluar në lidhje me “incidentin e rëndë” në parandalimin e pandemisë. Koreja e Veriut ka mbyllur kufirin e saj që nga fundi i janarit 2020, për të shmangur përhapjen e infeksioneve të Covid 19 nga Kina.
Në një vit e gjysmë, regjimi nuk ka komunikuar asnjë rast të Covid-19 në territorin e tij, por për muaj me radhë, Kim ka folur për pasojat katastrofike ekonomike të mbylljes.
Kina ishte e vetmja rrugë tregtare për regjimin e Phenianit dhe bllokimi i rrjedhës së mallrave i ka dhënë një goditje të fortë furnizimit të nevojave themelore.
Të korrat bujqësore, gjithashtu shkuan keq, për shkak të tajfuneve dhe thatësirës dhe situata e ushqimit “është e tensionuar”, pranoi Kim disa javë më parë.
Sipas disa analistëve, një seri pranimesh mbi vështirësitë, ekonomike, bujqësore dhe tani kujdesi shëndetësor i shkaktuar nga rrethana të pafavorshme ose nga gabime të vartësve, do të ndiqte një fije logjike në strategjinë e Kim. Qëllimi do të ishte përgatitja e terrenit për një kërkesë për ndihmë nga agjencitë humanitare ndërkombëtare.
Por këto janë vetëm hamendje, sepse informacioni mbi situatën në Korenë e Veriut është vetëm ai që regjimi dëshiron të japë: përfshirë imazhet e fundit që tregojnë Kim Jong-un të dobësuar dhe një transmetim shtetëror të lajmeve që ka shprehur shqetësimet shëndetësore të njerëzve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje