Politike

Kim, magjistratëve të rinj: Bëhuni shpresë për vendin, kurrë mos u dorëzoni. SHBA do të mbështesë Shqipërinë

Në 25 vjetorin e krijimit të shkollës së Magjistraturës, Ambasadorja amerikane Yuri Kim u shpreh se reforma në drejtësi po jep rezultatet e saj, duke shtuar se po përballet me sfida të ndryshme.

Ambasadorja Kim i bëri thirrje magjistratëve të rinj të mos dorëzohen dhe të bëhen shpresë për Shqipërinë.

“Ju sfidoj të jeni të guximshëm në bërjen e ndryshimeve. Ndërsa Shqipëria ndërmerr Reformat në sektorin e drejtësisë, këto duhet të ketë sukses për të mirën e të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë. Puna e shkollës së Magjistraturës kërkon shumë përpjekje. Ju uroj ju të diplomuar, ndërsa zgjohem në mëngjes përpiqem ti kujtoj vetes përse jam në këtë punë dhe shpresoj që edhe ju të shiheni çdo mëngjes në pasqyrë dhe ti thoni vetes; Unë do të jem pjesë e arsyes që populli im të ketë shpresë dhe do të jem pjesë e një Shqipërie më të mirë se tani. Kurrë mos u dorëzoni, SHBA do të mbështesë Shqipërinë”, tha ajo.

Ndërkohë edhe ambasadorja e BE në Shqipëri, Cristiane Hohman i është bashkuar aktivitetit të zhvilluar në 25-vjetorin e krijimit të shkollës së Magjistraturës.

Në fjalën e saj, ambasadorja e BE tha se magjistratët e rinj kanë sfida të mëdha përpara.

Ajo tha se detyra e tyre është t’i shërbejnë vendit dhe të mos bien pre e presioneve gjatë rrugëtimit të tyre.

“Unë i uroj shumë suksese në karrierën e tyre dhe të arrijnë t’i shërbejnë me sukses vendit të tyre”, tha ajo.

Nga ana e tij Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar nga Shkolla e Magjistraturës pavarësi dhe paanshmëri në punën e tyre me formimin e magjistratëve të rinj për të rritur besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë në tërësi dhe të garantohet që brezat e rij të gjyqtarëve e prokurorëve të japin vendime të drejta.

Sipas Begajt, Shkolla e Magjistraturës është “i vetmi institucion që ka misionin dhe fatin të ndikojë në ngritjen e një drejtesie të re të mbështetur në paanshmëri, llogaridhënie, tranasparencë dhe për garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”.

“Me ndryshimet kushtetuese shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave e përgjegjësive akoma më të mëdha.

Misioni i formimit të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve e vendos shkollën në pozicion të rëndësishëm e kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë.

Puna juaj ka ndikim përcaktues në cilësinë e prurjeve në gjithë sistemin e drejtësisë, në formimin e magjistratëve të një niveli të lartë profesional e moral, në rritjen e besimit të publikut në figurën e autoriteteve të drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, si një institucion i pavarur është me rëndësi që rekrutimi dhe vlerësimi të kryhet me objektivitet e transparencë, mësimëdhënia të jetë cilësore dhe institucioni të konsolidojë më tej pavarësinë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese.

Pavarësia e paanshërmia në punën tuaj sot janë çelësi i pavarësisë e paanshërmisë së gjyqëtarëve e prokurorëve nesër, do të thoë vendime të drejta e të paanshme nesër”, tha Begaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë