Politike

Kim rikthehet te SPAK, takon kreun e Sektorit për Krimin e Organizuar: Do të kemi edhe më shumë rezultate, askush s’është mbi ligjin

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim shprehet e bindur se SPAK do të ofrojë edhe më tej rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kim u takua këtë të premte me Prokurorin e Posaçëm, Altin Dumani, që njëkohësisht drejton edhe Sektorin e Krimit të Organizuar në SPAK.

“U takova sot me Altin Dumanin, shefin e Sektorit të Krimit të Organizuar në SPAK për t’i shprehur vlerësimet për procedimet e shumta që kanë rezultuar në burgosje dhe konfiskimin e aseteve. SPAK do të japë gjithmonë e më shumë rezultate për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Ambasadorja.

Pak javë ëm parë, Kim ishte sërish në zyrat e SPAK ku u takua me kreun e kësaj strukture, Arben Kraja dhe drejtoren e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada thuhej se qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi rezultatet e suksesshme të SPAK dhe sfidat me të cilat organet e reja të drejtësisë po përballen në vitin e tyre të parë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin e rëndësishëm që SPAK ka në zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi. Zhvillimi i vërtetë po ndodh. SPAK e nisi vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha. Ndërsa mesi i vitit 2021 po afron, kreu Kraja dhe Drejtori Hajnaj i rikonfirmuan Ambasadores Kim se puna po vijon intensivisht në SPAK”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasada tha se sulmet dhe sfidat që ka përpara, nuk e kanë shpërqendruar SPAK nga objektivi për të treguar se askush nuk është mbi ligjin.

“Ata vazhdojnë të hetojnë krime të ndryshme, të organizuara e të mëdha, korrupsionin dhe krimet zgjedhore dhe janë të vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin!”, mbyllej mesazhi i SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë