Ne rrjet

Kim ‘teston’ raketat drejt Koresë së Jugut: Prova të sulmeve taktike bërthamore

Gazeta Si – Me një xhaketë të bardhë, me pamje nga një tarracë i fokuuar në rrezen e qitjes së raketave të tij.

Kështu e prezantoi propaganda e Koresë së Veriut mëngjesin e kësaj të hëne Kim Jong-un, i cili u kthye në skenë pas disa javësh mungesë.

Por më shumë se imazhet, është rrëfimi i aktivitetit të Marshallit, ai që tërheq vëmendjen: “Kim Jong-un udhëhoqi një sërë simulimesh të sulmeve taktike bërthamore”, shkruan gazeta koreano-veriore, “Rodong Sinmun”.

Gazeta e regjimit, rendit të gjithë aktivitetin e ditëve të fundit: shtatë teste zjarri me një duzinë raketash midis 25 shtatorit dhe 9 tetorit.

Ushtria e Veriut ka praktikuar ngarkimin e kokave bërthamore taktike në raketa balistike dhe lëshimet janë projektuar për të përgatitur sulme ndaj objektivave të Koresë së Jugut, veçanërisht aeroporteve dhe zonave operacionale të ushtrisë së Seulit, pretendon artikulli.

Gazeta “Pyongyang”, raporton se raketat bërthamore balistike me rreze të shkurtër veprimi, një raketë e re me rreze të mesme veprimi (me sa duket ajo që fluturoi mbi Japoni javën e kaluar) dhe një raketë e lëshuar nga një nëndetëse, janë testuar nën mbikëqyrjen e vetë Kim-it.

“Stërvitjet kishin për qëllim konfirmimin e sekuencës së përdorimit të kokave bërthamore taktike, marrjen e tyre nga kapanonet, transportimin dhe ngarkimin e tyre në raketa të shpejta dhe në mënyrë të sigurt”, – shpjegon artikulli, duke argumentuar se të gjitha testet ishin të suksesshme në mënyrë të kënaqshme.

“Rodong Sinmun”, citon “Marshallin e respektuar Kim”, si vijon: “Përkeqësimi i vazhdueshëm i tensionit, i provokuar në mënyrë të papërgjegjshme nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi i Koresë së Jugut, do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një përgjigje më serioze: do të na duhet t’i dërgojmë armikut sinjale më të fuqishme”.

Provokimet të cilave Kim i referohet, janë manovrat e përbashkëta të kryera nga aeroplanmbajtësja amerikane “Ronald Reagan” dhe njësitë ajrore dhe detare të Seulit.

Shumë analistë kishin vënë re se për javë të tëra propaganda e Phenianit nuk kishte raportuar më lajme mbi stërvitjet e zjarrit.

Ka mundësi që gazeta dhe televizioni shtetëror nuk kanë dashur të tërheqin vëmendjen e popullatës për planin shpërdorues të luftës, ndërkohë që situata ekonomike, ushqimore dhe shëndetësore po kalon një fazë tjetër kritike.

Fakti është se sot, “Rodong Sinmun” publikoi të gjitha fotot dhe lajmet e aktivitetit “në terren” të Kim: përveç drejtimit të simulimeve të sulmeve raketore me koka bërthamore, vëzhgoi me kënaqësi artilerinë e tij me rreze të gjatë të përfshirë në një top dhe më pas uroi pilotët e dhjetëra avionëve që pak ditë më parë fluturuan pranë linjës së 38-të paralele në kufi me Korenë e Jugut.

Ps: Në një fotografi të portofolit festiv të testeve të lëshimit me koka bërthamore taktike, gruaja e tij Ri Sol Ju u shfaq përkrah Kim Jong-un.

Dyshja kishin veshur xhaketa kamuflazhi në ngjyrë dheu dhe mbulonin veshët nga zhurma e ngritjes. Sipas analistëve, pjesëmarrja e zonjës në ekspozitën në terren është një lloj promovimi i statusit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë