Tetëmbëdhjetë vjet burg: ky është dënimi për Sun Dawu, 67 vjeç, një miliarder utopik, i cili kishte transformuar një fshat në një qytet model për 9,000 punonjësit e tij dhe familjet e tyre në provincën Hebei, pranë Pekinit.
“Ne duhet të rishpërndajmë në mënyrë uniformë pasurinë e prodhuar”, – kishte shkruar ai para hyrjes në fermën e tij. Anëtar i Partisë Komuniste që nga viti 1972, ai e quajti veten një komunist të devotshëm.
Sun hyri në një kurs përplasjeje me Partinë Komuniste, duke përfunduar në burg për pesë muaj për herë të parë në vitin 2003 për kundërshtim, por ato ishin akoma kohë të tolerancës relative në Pekin.
Sun, së fundmi u dallua për kritikat ndaj autoriteteve në fillim të pandemisë Covid-19.
Më parë ai kishte denoncuar gjithashtu fshehjen e gripit të derrave në vitin 2019 dhe për vite me radhë kishte mbështetur disa disidentë, përfshirë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Liu Xiaobo, duke paguar tarifat e tyre ligjore.
Ai u arrestua në nëntor, zyrtarisht për një mosmarrëveshje mbi shfrytëzimin e tokës me një kompani shtetërore fqinje, një çështje administrative që rregullohet normalisht para drejtësisë civile.
Por pas disa muajsh heshtjeje, aktakuza u pasurua me akuza shumë më të rënda: “kishte organizuar punonjësit e tij në një bandë” për të sulmuar agjencitë shtetërore dhe “prishje të rendit publik”. Një formulë e përdorur nga autoritetet kur synon të “heqë qafe” një disident. Arrestimi i Sun Dawu, më 11 nëntor 2020, u krye me një aksion nga 300 policë, të mbështetur nga njësitë e qenve.
Një operacion i stilit kundër terrorizmit. 19 anëtarët e familjes së Sun dhe drejtuesit nga 28 filialet e kompanisë, përfunduan në burg. Ata tani kanë marrë dënime nga një deri në dymbëdhjetë vjet burg.
Gjatë gjykimit, të pandehurit kishin guximin të bënin publike sistemet brutale të përdorura nga policia për t’i detyruar ata të rrëfenin mëkatet e pashprehura. Një nga djemtë e tij, tha se ishte i lidhur me një karrige për tridhjetë orë resht, derisa këmbët dhe krahët nuk i ndjente më pas shkaktimit nga torturat e dhimbshme. Vëllai i miliarderit, tha se nuk kishte marrë trajtim mjekësor për hernie diskale.
“Dhuna që pësova shkaktoi dhimbje që nuk mund ta përshkruaj, jeta në muajt e fundit ka qenë më e keqe se vdekja, ata më mohuan madje të shihja dritën e diellit”, – tha Sun Dawu, në një deklaratë të lëshuar nga avokatët e tij.
Sun mbrojti modelin e tij industrial: “Unë këtu deklaroj se e kam kryer biznesin tim në një mënyrë idealiste, për të rishpërndarë prosperitetin midis të gjithë punonjësve; tani ju pohoni se 38 vjet histori e Grupit Dawu kanë qenë 38 vjet krim”.
Sun Dawu, një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, kishte punuar në Bankën Bujqësore të Kinës pas shkarkimit të tij dhe më pas, në vitin 1989, themeloi kompaninë e tij, duke filluar me 50 derra dhe 1.000 pula.
Menaxhimi i tij modern dhe i kujdesshëm çoi në ndërtimin e një kompanie miliardere, e cila ishte zgjeruar për të përfshirë agroturizmin dhe kujdesin shëndetësor.
Ai kishte vendosur të stimulonte punonjësit, duke ndërtuar një fshat për të integruar punën dhe jetën e punëtorëve, të kompletuar me shkolla, një spital me një mijë shtretër dhe një stadium sportiv.
Për spitalin, ai tha: “Do të isha i nderuar nëse do të humbisja para për t’u kujdesur më mirë për njerëzit”. Grupi Dawu kishte organizuar institute teknike për trajnimin e fermerëve dhe blegtorëve.
Sun Dawu, e quante veten një “Komunist të devotshëm”. Një kapiten autoritar dhe paternalist i industrisë, i modës së vjetër, jashtë skemave, sepse në çdo rast, ai ofroi një alternativë ndaj modelit të kapitalizmit shtetëror kinez.
Para ardhjes së Xi Jinping në pushtet, Partia-Shtet ishte më tolerante ndaj idealistëve jo të lidhur, veçanërisht nëse ato kontribuonin në rritjen e ekonomisë kombëtare.
Tani, mendimi autonom, ndoshta ekscentrik dhe utopik, nuk pranohet më dhe ndaj një prej kapitalistëve më të mëdhenj privatë, kanë rënë shumë akuza.
Fatkeqësisht, parashikimi i fituesit të Çmimit Nobel për Paqen, Liu Xiaobo, është realizuar.
Liu, i cili vdiq në robëri në vitin 2017, dikur tha se Sun Dawu do të persekutohej gjithashtu nga Pekini, sepse ai kishte guximin dhe burimet për të propozuar një ndryshim në Kinë dhe kështu përfaqësonte “një sfidë ndaj sistemit të pushtetit”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje