Gazeta Si – Pyetje: Pse Kina nuk e pranon që Ukraina po pëson një pushtim? A nuk mendon udhëheqja e Pekinit se refuzimi për të dënuar veprimin e Moskës dëmton reputacionin e saj ndërkombëtar?
Përgjigja e Ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi: “Republika Popullore e Kinës është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv për të lehtësuar dialogun e paqes dhe të punojë përgjatë kanaleve të komunikimit ndërkombëtar për të kryer ndërmjetësimin e nevojshëm”. Ndërkohë, Kryqi i Kuq Kinez do të dërgojë ndihma urgjente në Ukrainë.
Sigurisht që nuk kishte asnjë iluzion që Wang Yi po korrigjonte linjën “pakufi” të aleancës me Vladimir Putinin e shpallur nga Xi Jinping më 4 shkurt. As që ai doli nga linja (gri) e zgjedhur nga Xi në lidhje me Ukrainën (abstenim në Kombet e Bashkuara), por të paktën diplomati evokoi ndërmjetësimin kinez “në rast nevoje” sot, duke folur në konferencën e tij vjetore për shtyp në Asamblenë Popullore që po zhvillohet prej të shtunës në Pekin.
Kreu i diplomacisë së superfuqisë lindore, ripohoi se marrëdhëniet e ngushta midis Kinës dhe Rusisë nuk do të ndryshojnë, as për shkak të kësaj krize shkatërruese: “Marrëdhëniet tona janë solide si shkëmbi, Moska është partneri ynë strategjik më i rëndësishëm, perspektivat për bashkëpunim janë të mëdha. Ata nuk do të ndikohen nga asnjë palë e tretë”, tha ai, duke iu referuar reagimit të Perëndimit dhe sanksioneve ndërkombëtare që izolojnë Rusinë.
Ai përsëriti sloganin kinez: “Jo mentalitetit të luftës së ftohtë dhe përplasjes ideologjike” (që është akuza e palodhur e bërë nga Pekini kundër Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian). Sanksionet ndaj Rusisë dhe dërgimi i armëve në Ukrainë, përsëriti Wang Yi, “vetëm i hedhin benzinë zjarrit”.
Fakt mbetet që Kina më në fund po përdor fjalën “ndërmjetësim” dhe nuk e përjashton marrjen e rolit “në rast nevoje”. Ministri i Jashtëm i Kievit, tha të shtunën se Kina do të lëvizë në frontin diplomatik, sepse “është e interesuar të ndalojë luftën”.
Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme Evropiane, Josep Borrell rrëfeu se “nuk ka alternativë, duhet të jetë Pekini që të ndërmjetësojë”. Megjithatë, shtypi kinez (i cili në çështje kaq të rëndësishme ndjek direktiva të sakta), shkruan se “Kina do të lëvizë në mënyrë autonome, pavarësisht kërkesave të pretenduara për ndërmjetësim nga Perëndimi” dhe vëren se “në fund të fundit, nëse lufta vazhdon, ajo do të godasë ekonominë evropiane, sektorin e saj energjetik, tregun financiar dhe inflacionin e saj”.
Vëmendja e politikës kineze këto ditë është përqendruar te Kuvendi Popullor (Parlamenti që mblidhet vetëm një herë në vit në seancë plenare me rreth 3000 delegatë).
Shpenzimet ushtarake kineze në mënyrë të pashmangshme çojnë në mendimin për çështjen e Tajvanit, veçanërisht tani që Vladimir Putin ka treguar një “model ukrainas”.
Kur u pyet, Wang Yi u përgjigj se “ne jemi përballur me standardin e zakonshëm të dyfishtë perëndimor: kërkohet respekti për sovranitetin kombëtar të Ukrainës dhe ai i Kinës mbi Tajvanin është dëmtuar. Por Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez dhe është një çështje e brendshme”.
Sa i përket “strategjisë indo-paqësore” të Shteteve të Bashkuara, Wang Yi përsëriti ashpër se “qëllimi i vërtetë i amerikanëve është të krijojnë një version të NATO-s në rajon: dhe kjo është një linjë perverse që bie ndesh me aspiratën për zhvillim, bashkëpunimi dhe paqeje në Azi, një veprim i destinuar të dështojë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje