Emergjenca shëndetësore është zhvendosur nga Kina për në Indi, e shkatërruar tashmë nga Covid-19. Por as beteja e përbashkët kundër koronavirusit nuk e ka shuar dëshirën për hakmarrje ultra-nacionaliste të Komisionit të Çështjeve Ligjore të Partisë Komuniste Kineze.
Ai, në profilin e tij në Weibo (“Twitter” kinez) publikoi dy imazhe të bashkëngjitura: flakët e motorëve të raketës kineze që u nis javën e kaluar për një mision hapësinor dhe flakët e stivave të druve të funeraleve në Indi, me trupat e pajetë të viktimave nga koronavirusi. Teksti i postimit: “Si ndizet zjarri në Kinë dhe si ndizet në Indi”.
Një ballafaqim i turpshëm, i cili u shfaq të shtunën dhe u hoq shpejt nga uebi (nuk dihet nëse për shkak të censurës apo një pendesë (e Komisionit Ligjor Komunist).
Shumë kinezë kanë pasur kohë për të parë dhe dënuar aktin e pamatur të poshtërimit. Për më tepër, një ditë më parë, presidenti Xi Jinping, i kishte dërguar një mesazh ngushëllimi Nju Dehlit zyrtar.
Dhe në dy javët e fundit, më shumë se 60 avionë kinezë kanë sjellë furnizime mjekësore në Indi: 20,000 gjeneratorë oksigjeni dhe 5.000 ventilator për kujdes intensiv, kanë shkuar në spitalet indiane që kaluan në kolaps përpara valës së tmerrshme të koronavirusit.
Një gjest i mirë solidariteti nga Pekini, i cili gjithashtu zhvilloi dy luftëra kufitare me Indinë. Verën e kaluar, ushtarët e të dy vendeve u përplasën në një betejë të ashpër dhe të përgjakshme në majat e Himalajeve. Sidoqoftë, gjestet dhe ndihmat në situatën e fundit, u njollosën nga ai postim.

Për këtë çështje, ka ndërhyrë edhe “Global Times”, gazeta në gjuhën angleze e Partisë Komuniste të Pekinit. Drejtori ka shkruar për “ndjenjat irracionale popullore” në këtë kohë, të cilat nuk pasqyrojnë veprimet e qeverisë.
Dhe ai, i bëri thirrje Kinës që të vazhdojë të “shprehë mbështetje dhe mirëkuptim për Indinë e plagosur nga katastrofa humanitare”.
“Kina dhe India janë fqinj gjeografikë dhe do të qëndrojnë të tillë edhe më pas”, – vëren drejtori i gazetës, Hu Xijin, i cili përfundon editorialin e tij, duke u kërkuar kinezëve të “bindin popujt e tjerë me virtytin e tyre”. Sidoqoftë, shoku Hu, argumenton se “njerëzit kanë të drejtë të shprehin ndjenja të ndryshme ndaj Indisë”.
Dhe pasi publikoi editorialin e tij të arsyetuar, ai dërgoi një mesazh në “Twitter”: “Shumë qytetarë kinezë, janë të penduar që ndihma mjekësore për emergjencën Covid, të tilla si gjeneratorë oksigjeni dhe ventilues të dërguara në Indi, nuk përdoren për të shpëtuar të varfrit, por për të pasurit e Indisë”. Ky postim nuk është fshirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje