Rend dhe Ligj

KLP vlerëson punën e SPAK: Serioze

Vërejtja e Gent Ibrahimit ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për mungesën e pyetjeve në adresë të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela është reflektuar gjatë raportimit para këtij institucioni nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja.

Pyetjet ndaj Krajës lidheshin më shumë me çështje organizative dhe e përbashkëta e fjalës së të gjithë anëtarëve të KLP-së drejtuar kreut të SPAK-ut ishte vlerësimi.

Me fjalët “seriozë, seriozitet, të besueshëm në sytë e qytetarëve, institucion i fortë”, të gjithë anëtarët e KLP-së vlerësuan në unanimitet punën e SPAK-ut dhe të vetë Arben Krajës si drejtues i kësaj strukture.

Në raportimin e tij, Arben Kraja foli kryesisht për çështjet organizative dhe në lidhje me çështjet e bujshme që heton Prokuroria e Posaçme i ceku ato parimisht, duke deklaruar se ligji ja ndalon raportimet specifike të tyre, si para KLP-së, ashtu edhe para Kuvendit.

Për çështjet organizative përmendi punën për ndërhyrjen ligjore që përcaktoi pagat e prokurorëve, drejtuesit dhe anëtarëve të BKH-së. Foli gjithashtu edhe për ndërhyrjen tjetër në ligjin e kompetencave, që hyn në fuqi nga 1 qershori, ku reduktohen dosjet e korrupsionit të cilësuara si të vogla.

“Erdhi nga praktika e punës, kishim të gjitha rastet e korrupsionit dhe në disa raste u bënë publike vepra penale të rëndomta. Këto nuk janë raste për t’u mburrur dhe nuk mund të shpenzojnë energji prokurorët për këto hetime. U arrit që të përfshihej një paketë ligjore që hyn në fuqi më 1 qershor që lehtëson punën në raport me korrupsionin e vogël dhe fokuson punën më shumë aty ku duhet”, tha Kraja.

Anëtarët nuk patën vërejtje në lidhje me raportin, që e vlerësuan si cilësor dhe shtjellues. Vërejtje nuk pati as nga kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, që një ditë më parë “u përplas” me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela.

Çela kërkoi rritje të kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm. Ai theksoi se roli i tij është i kufizuar dhe se është e rëndësishme të ketë më shumë hapësirë. Por, Ibrahimi e cilësoi të parakohshme kërkesën e tij, duke shtuar se kryeprokurori duhet të përqendrohet në çështje të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë