Politike

Koalicion me bashkëkryetar Metën? Berisha: Do jemi front opozitar me udhëheqje kolektive

Sali Berisha tha përmes konferencës së përjavshme për shtyp se protesta e paralajmëruar më 7 Korrik shënon shpalljen e Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë.

Berisha nuk dha shumë detaje rreth protestës dhe as faktit nëse do të vijojë ditët në vijim, por u shpreh i sigurtë se rreth saj do të bashkohet shoqëria civile por edhe faktorë të opozitës dhe në këtë rast e kishte fjalën për Presidentin Ilir Meta i cili në fund të korrikut lë mandatin si President.

Madje, Berisha la të kuptohet se udhëheqja e opozitës do të konceptohet si koalicion me bashkëkryetar.

“Ideja ime është një front opozitar, me një udhëheqje kolektive, ku rol kryesor ka PD. Kontributi i çdo force politike, apo faktori tjetër, organizata të shoqërisë civile, individ i shquar është i mirëpritur. Ne jemi të hapur. Rama duhet të përballet me frontin për shpëtimin e Shqipërisë”, tha ai.

Berisha u pyet konkretisht edhe për bashkëpunimin me Ilir Metën.

“Disa herë jemi takuar në Baku me Presidentin Meta. Ai i mbyll këtë javë detyrimet. Mirëpritet kontributi i tij dhe i LSI-së në opozitarizmin kundër Edi Ramës. Do bashkohemi me të gjitha forcat politike që besoj se ky regjim është armiqësor ndaj shqiptarëve”.

A do të jetë një koalicion me bashkëkryetar?

“Ideja ime është një front opozitar, me një udhëheqje kolektive, ku rol kryesor ka PD…”, u përgjigj ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë