Kolegji Zgjedhor i dha të drejtë Partisë Socialiste dhe rrëzoi vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, që regjistroi 222 kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike.
Kolegji urdhëron KQZ që të reduktojë në 153 kandidatë listën e Partisë Demokratike. Vendimi i marrë këtë të hënë është përfundimtar dhe i hap rrugë KQZ-së që të miratojë modelin e fletës së votimit dhe të nisë procedurat e tjera të nevojshme, që nga printimi e deri tek tërheqja dhe shpërndarja e saj.
Në kërkesën e saj, PS tha se ky numër cenon parimin e barazisë në zgjedhje, redukton, ose eleminon mundësinë për vetë kandidatët që të thyejnë herësin dhe të zgjidhen si preferencë nga qytetarët dhe sjell problematika madhore në procesin e hartimit të fletës së votimit.
“KAS, duke lejuar që një koalicion të garojë me më shumë kandidatë se tjetri ka shkelur parimet e Kodit Zgjedhor për barazi. Numri i lartë sjell problematika në garë, por edhe në procesin zgjedhor, pasi cenohet lista e hapur dhe sjell problematika në hartimin dhe printimin e fletës së votimit”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji.
Kolegji kërkoi mendimin e përfaqësuesve të partive politike nëse interpretimi i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, që përcakton numrin e kandidatëve për deputetë është tagër i Komisionit Rregullator, apo i Komisionerit.
“Nuk është përcaktuar me ligj kompetencë nëse është e Komisionit Rregullator, prandaj i lind e drejta Komisionerit Zgjedhor”, tha Salianji/
PD mbrojti qëndrimin e saj duke deklaruar se shifra prej 222 kandidatësh që ajo ka dorëzuar është numri minimal i nevojshë dhe sqaroi si e ka interpretuar nenin 67. Sipas përfaqësuesit të PD-së, Ivi Kaso Kodi Zgjedhor nuk parashikon kufi maksimal për numrin e kandidatëve.
Ai tha gjithashtu se ky numër nuk cenon përmbajtjen e fletës së votimit dhe respekton të drejtën e subjekteve të ndryshme brenda koalicionit të opozitës që të garojnë në çdo zonë zgjedhore me nga një kandidaturë.
Kaso tha se në interpretimin e opozitës, numri maksimal i kandidaturave nuk është çështje ligjore, por çështje vetëpërmbajtjeje dhe përgjegjshmërie e forcave politike, duke nënkuptuar se ky numër është sipas dëshirës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje