Politike

Kolegji Zgjedhor i kthen Kuçovën KAS-it, Maliqi: Fituam betejën e parë!

Gazeta Si – Bashkia Kuçovë është një nga kauzat ku opozita pretendon se është tjetërsuar rezultati. Sot Kolegji Zgjedhor i ka dhënë një vendim që kandidati i opozitës, Lefter Maliqi e cilëson si një fitore të betejës së parë ligjore.

“Drejtësia funksionoi! Sot fituam ‘Betejën e Parë’, në Kolegjin Zgjedhor, kundër KAS pranë KQZ me votë unanime ku u detyrua KAS pran KQZ që të marrin në Shqyrtim të gjitha pretendimet tona duke filluar nga falsifikimet, shpërdorimi i detyrës, rinumërim, pavlefshmëri, etj”, shkruan Maliqi.

Në vendimin e marrë nga Kolegji Zgjedhor përcaktohet se KAS duhet të marrë në shqyrtim të gjitha pretendimet e ankuesit. “Gjykata” e KQZ kishte vendosur se nuk kishte kompetencë për të shqyrtuar kërkesat e kandidatit të opozitës, Lefter Maliqi.

Ai kërkon ndryshimin e vendimit ku shpallet fitues Kreshnik Hajdari, rinumërim dhe rivlerësim i votave për ZAZ-në Nr. 64, të gjitha QVtë duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave për QV-të e listuara në tabelë dhe Pavlefshmëria e vendimit nr. 101 datë 16.05.2023, “Për Miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për Zgjedhjen e Kryetarit të bashkisë Kuçovë”.

Në zgjedhjet e 14 majit kandidati socialist Kreshnik Hajdari mori 6910 vota, ndërsa Lefter Maliqi i koalicionit Bashkë Fitojmë mori 6228 vota.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë