Gazeta Si – Senatori Gustavo Petro është presidenti i ri i Kolumbisë. Është hera e parë në historinë kolumbiane që një lider i së majtës ka marrë detyrën më të lartë të shtetit të Amerikës së Jugut.
Me numërimin e votave prej 97,06% të mandateve, Petro së bashku me zëvendësen e tij France Marquez, grumbulluan 10,984,247 vota (50,57%), ndërsa rivali Rodolfo Hernández, arriti në 10,242,763 vota (47,16%). “Është ditë feste për popullin”, tha Petro.
Pasi fitoi lehtësisht raundin e parë të votimit më 29 maj me mbi 40% të votave përballë jo favoritit të pavarur Rodolfo Hernández (28.15%), në tre javët e fundit, liderit të koalicionit Pacto Histórico, i është dashur të përballet me një rritje nga kundërshtari i tij, i mbështetur nga kandidatë të ndryshëm nga e djathta.
Për më tepër, sondazhet në prag treguan ekzistencën e një “barazie teknike” midis dy kandidatëve.
Në reagimin e tij të parë përmes Twitter-it, presidenti i sapozgjedhur foli për “një ditë feste për popullin. Festimi i fitores së parë popullore. Le të mbyten kaq shumë vuajtje nga gëzimi që sot vërshon zemrën e vendit. Kjo fitore është për Zotin, për njerëzit dhe historinë e tyre. Sot është dita e rrugëve dhe e shesheve”.
I pari që e uroi, së bashku me nënpresidenten e zgjedhur, France Márquez, ishte presidenti në largim, Iván Duque, i cili bëri të ditur përmes rrjeteve sociale se kishte telefonuar fituesin për t’u gëzuar për suksesin e tij.
“E kontaktova Gustavo Petron për ta uruar si president të zgjedhur kolumbian. Ne kemi vendosur të takohemi në ditët në vijim për të filluar një tranzicion harmonik, institucional dhe transparent”.
Për ditë të tëra, analistët, duke shqyrtuar perspektivat e votimit, kishin argumentuar se Kolumbia po shkonte drejt ndryshimeve historike, sepse kushdo nga dy kandidatët që do të kishte fituar, do kishte sjellë fundin përfundimtar të “bipartizizmit të papërsosur” konservator-liberal që ka qeverisur Kolumbinë për 200 vjet.
Kush është Gustavo Petro – Pasi ka hyrë në luftën guerile M-19 në rininë e tij (me pseudonimin Aureliano, i frymëzuar nga një personazh i romaneve të Gabriel Garcia Marquez), pa hyrë kurrë në operacionet ushtarake, Petro është i fortë me mbi 20 vjet aktivitet politik.
Ai është 62 vjeç dhe ishte në përpjekjen e tij të tretë për synuar Casa de Nariño presidenciale, pasi humbi në vitin 2010 nga Juan Manuel Santos, fitues i çmimit Nobel për nënshkrimin e paqes me FARC dhe më pas në 2018-ën nga Duque.
Zgjedhja e tij, sigurisht që përbën një problem për t’u zgjidhur për Shtetet e Bashkuara, të cilat për dekada kanë përdorur Kolumbinë, një aleate besnike, si gur themeli të politikës së saj të sigurisë në Amerikën Latine, duke investuar shuma të mëdha parash dhe ndihma ushtarake.
“Tashmë vendi ndryshon realisht” – Mbrëmë në Bogota, Petro siguroi se “ajo që po vjen për vendin tonë, është një ndryshim i vërtetë, një ndryshim real, për të cilin kam ndërmend të angazhoj ekzistencën time dhe vetë jetën time”.
“Nuk do t’i tradhtojmë premtimet e bëra ndaj votuesve”, shtoi ai, dhe kjo është se “nga sot Kolumbia ndryshon, Kolumbia është një tjetër”.
Duke folur para mijëra njerëzve, udhëheqësi i Pacto Histórico, tha se qeveria e tij do të bazohet në “politikën e dashurisë” dhe “jetës”, prandaj ai e bëri të qartë se premtimi i tij për transformim “nuk do të jetë kurrë i tillë që të hakmerret ndaj kundërshtarëve të tij”.
“Kjo nuk është më koha për urrejtje”, vazhdoi ai, duke argumentuar se “kjo qeveri që do të fillojë më 7 gusht, është një qeveri e jetës, një qeveri që dëshiron të ndërtojë Kolumbinë si një fuqi botërore të jetës”.
Dhe së fundi për të zbutur frikën në lidhje me qeverinë e tij eventuale të ngjashme me atë të Venezuelës, Petro premtoi pluralizëm ekonomik, duke deklaruar se “ne do të zhvillojmë kapitalizmin në Kolumbi, jo sepse e adhurojmë, por sepse duhet të kapërcejmë para-modernitetin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje