Politike

Komision i ri për zgjedhjet/ Bardhi propozon Bylykbashin nënkryetar, përfshin aleatët dhe Idrizin, mbetet jashtë grupi ‘Basha’

Gazment Bardhi dhe Sali Berisha mblodhën rreth 40 deputetë në Kukës këtë të martë ( 9 deputetë on-line ndër ta edhe Tabaku dhe Gjekmarkaj) për të dalë me një qëndrim të përbashkët se kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë” Emri Vata ka mbështetjen e deputetëve të opozitës në Kukës.

“U shpreh solidariteti i plotë me Emri Vatën, i cili garon në Bashkinë e Kukësit pas një demaskimi moral dhe të gjithanshëm të përfaqësuesit të Edi Ramës, i cili ishte një copy-paste i Edi Ramës.

Emri Vata ka besimin e plotë të të gjithë deputetëve të PD, besim se ai votën do e kthejë në shërbime transparente dhe përkushtim për qytetarët e Kukësit.

Është rasti t’u bëj thirrje të gjithë kuksianëve, kudo që ndodhen, por që kanë qendrën e votimit në Kukës, të vijnë ditën e diel dhe me votën e tyre të firmosin fillimin apo agun e një ndryshimi të madh që e pret Shqipërinë…”, tha Berisha pas mbledhjes së grupit ku ishin të pranishëm të gjithë aleatët (përfshi edhe Vangjel Dulen në një lidhje online)

Ndërsa Gazment Bardhi ka folur pas takimit më së shumti për axhendën parlamentare, ku njoftoi se është propozuar përbërja nga PD e një komisioni të ri për reformën zgjedhore pas dështimit të atij aktual.

“Jemi ndalur në axhendën parlamentare të së enjtes, me fokus reformën zgjedhore. Sot kemi autorizuar ngritjen e komisionit që të propozojë projektvendimin për këtë reformë, bashkëkryetar është caktuar  Oerd Bylykbashin, anëtarë Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Ervin Salianji, Tomor Alizoti, Lindita Metaliaj, Shpëtim Idrizi, Fatmir Mediu dhe Petrit Vasili. Komisioni do të asistohet nga ekspertë të OSBE- ODIHR”, tha Bardhi duke mos përfshire në komision asnjë emër nga radhët e “Bashës”.

Për këtë të fundit, Bardhi ka ironizuar edhe debatin së fundmi për Avokatin e Popullit

“Kam propozuar që ky proces të mos jetë një 17 maj tjetër, ku avokati zgjidhet duket ngrënë pica në një zyrë të Kuvendit, por një proces transparent. Nuk kam kërkuar të ulëm me Çuçin, por nga Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e saj si kreu i Parlamentit të ndërtoj një proces transparent mes palëve.

Procese zgjedhore të institucioneve kushtetuese duke ngrënë pica e dukë pirë cigare me Edi Ramën janë të papranueshëm për grupin parlamentar të opozitës” , tha ai  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë