Qeveria është vënë në bisedime prej muajsh me bankat e nivelit të dytë për të zgjeruar ofrimin e shërbimeve dhe të pagesave online edhe në sektorët e tjera nën shembullin e ofrimit të shërbimeve nga shtetërore përmes e-Albanias.
Por, bisedimet kanë hasur në një ngërç në lidhje nga komisionet e kërkuera nga ana e bankave për ofrimin e këtyre shërbimeve. Si shembull, Kryeministri Edi Rama solli projektin për pagesat online të biletave të transportit qytetas dhe ndërqytetas.
“Ne kemi një projekt për pagesat në transportin qytetas dhe ndërqytetas, që do të bëhet online. Por, si mundet që të paguhet komision për këto bileta sa gjysma e vlerës së biletës?! Qeveria subvencionon mbi 5 mln euro që çmimi i biletës të mos rritet. Si mund t’u themi që do ta merrni online shërbimin dhe do të paguani komision?! Nuk ndodh që të pranojmë që të rritet çmimi i biletës së qytetarëve për shkakun tuaj”, deklaroi Rama.
Kryeministri mblodhi drejtorët e bankave të nivelit të dytë në një takim. Ai u kërkoi atyre që të bëhen pjesë e revolucionit digjital dhe të rishikojnë qëndrimet për komisionet.
“Janë bërë diskutime teknike dhe nuk kanë dhënë rezultat se këtu nuk është çështje teknike, por çështje vullneti. Ju duhet të bashkoheni me revolucionin digjital dhe duhet të bëheni shembull i përfitimeve nga ky revolucion duke bërë secili pjesën e vet”, tha ai.
Koha që u la Rama bankave që të heqin dorë nga kërkesa për komisione për pagesat e vogla është disa muaj.
“Brenda muajve duhet të marrë drejtim kjo punë dhe t’ua përcjellim qytetarëve që të kenë një akses komplet tjetër dhe të lehtësuar në bankat e nivelit të dytë”, u shpreh ai.
Rama tha se në këtë aspekt ka shumë vërejtje për bankat, ndërsa i vlerësoi ato për sigurinë dhe stabilitetin që kanë treguar në kohë krizash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje