Politike

Ndryshimet në statut, komisioni “miraton” Bashën, Kadilli: E vendos kryesia. Harxhi: Basha i shiti për disa grosh

Komisioni i Përhershëm Statutor kaloi pa asnjë surprizë vetëm propozimet e Lulzim Bashës për ndryshimet në statut.

Në një mbledhje prej dy orësh, anëtarët e Komisionit u mblodhën të shqyrtojnë propozimet e depozituara nga Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.  

Në fund të mbledhjes, rezultati nuk pati surpriza. Të nëntë anëtarët e komisionit u bënë në një zë për të kaluar ndryshimet e kryetarit. Pas përfundimit të mbledhjes, reagoi edhe Fatbardh Kadilli. Si njohës i mirë i rregullave të partisë, Kadilli ka nënvizuar se komisioni nuk mund të vendosë se cila nga paketat duhet të kalojë për miratim në Kuvendin Kombëtar, por vetëm të japë mendim.

“Komisioni ka vendosur se cilat nga ndryshimet që janë propozuar duhet t’i përcillen Kuvendit Kombëtar. Ky është tagër i Kryesisë dhe jo i Komisionit.

Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim.

Propozimet e mija që burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë. Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet.

Ky vendim i shumicës së anëtarëve të Komisionit sot dëshmon qartë vijimësinë e mos reflektimit për domosdoshmërinë që ka sot PD për të ndryshuar thellësisht, për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha që ka përballë opozita.

Me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon”, shkruan Kadilli në Facebook.

Duke iu referuar mbledhjes së kryesisë ditën e enjte, Kadilli tha se kryesia është organi që duhet të tregojë përgjegjshmëri.

“Kryesia ka nesër shansin që me guxim dhe përgjegjshmëri politike të marrë vendimet që presin demokratët.

Kuvendi Kombëtar duhet të shërbejë për çeljen e proceseve politike dhe jo për mbylljen e tyre”, nënvizon ai.

Më ashpër ka reaguar Edith Harxhi. “Sinqerisht dua të di a i keni lexuar mediat këto 24 orë? A e kuptoni çfarë po ndodh? A e kuptoni që edhe ju ju ka shitur për disa apo shumë grosh? Është shitur kauza që në 2013 dhe ju po bëheni pjesë e shitjes.

Miqtë njeriu i zgjedh vetë sepse janë sipas pëlqimit vetjak dhe nuk ja u zgjedh partia e për këtë ju konsideroj ende të tillë sepse është zgjedhja ime, por më dukeni sot, as më shumë e as më pak, si anëtarë të byrosë politike….

E përsëri ajo do bëhet, PD do ringrihet se duan shqiptarët e unë do jem përsëri këtu me dëshirën për ta reformuar e rithemeluar…”, shkruan Harxhi në një postim të gjatë në Facebook


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë