Një nga kushtet e PD-së për zgjatjen e mandatit të vettingut të KPK ishte edhe ngritja e komisionit parlamentar për reformën territoriale për të cilën deri më tash sa duket nuk është bërë asgjë.
Për këtë arsye, PD-ja kërkon së pari konsultimin me qytetarët dhe ekspertët.
“Vendimi i parlamentit për nisjen e punës për Reformën Territoriale, është një hap i parë shumë i rëndësishëm përpara. Ndaj ne kemi ngritur grupin e punës për të nisur konsultime me qytetarët dhe ekspertët në çdo cep të vendit.
Më pak shërbime, më shumë të punësuar dhe shumë para të çuara dëm. Kjo është ajo që prodhoi reforma administrative e Edi Ramës në 2014-ën.
Qëllimi i vërtetë i Edi Ramës nuk ishte vetëqeverisja vendore, por, krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonte atij. Pasi për të, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash, dhe normalisht qytetarët janë të fundit”, tha përmes një deklaratë për mediat, Dhurata Çupi.
Sipas saj, shpenzimet për administratën e bashkive pas ndarjes administrative janë rritur mbi 23 %, dhe shërbimet publike në ish-komuna janë përkeqësuar.
“Në pjesën më të madhe ka zero investime në këto vite, rrugë të shkatërruara, mungesë uji, mungesë investimesh në sektorin energjitik etj.
Mungesa e investimeve bën që qytetarët e zonave të thella të udhëtojnë deri në 4 orë për të shkuar në zyrat e bashkisë.
Territori i ndarjes së re të një pjese të madhe të bashkive është në zona të thella malore, ku në pjesën më të madhe të vitit qarkullimi është i kufizuar dhe shpesh i pamundur.
Në të tjera zona ku ka më shumë mundësi për investime, duhet të presin me ditë të tëra për një dokument në bashki duke shpenzuar kohë dhe para në udhëtimet nga zona e tyre në drejtim të qendrës së qyteteve ku ndodhet njësia administrative”, vërejti ajo.
“Thirrja jonë është për të gjithë qytetarët dhe ekspertët që duan të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm, të na bashkohen, janë të mirëpritur, sepse të gjithë bashkë mund të krijojmë një reformë administrative në shërbim të qytetarëve kudo ku ata banojnë”, tha Çupi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje