Ne rrjet

Konferenca Mynihut bën bashkë Vuçiçin dhe Thaçin

Konferenca vjetore e Mynihut duket se do të bëjë sërish bashkë Presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe homologun e tij kosovar, Hashim Thaçin, një takim i cili vjen mes një sërë sfidash dhe përplasjesh të forta mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ballkani, gazsjellësi rus “NordStream” dhe angazhimi i SHBA-së ndaj NATO-s duket se do të jenë temat qendrore të konferencës së sigurisë. Më shumë se 35 udhëheqës nga e gjithë bota pritet të marrin pjesë në takimet që do mbahen gjatë mbledhjeve të kësaj konference, e cila ofron mundësi të mëdha për takime bilaterale, por edhe për negociata prapa dyerve të mbyllura.
Shqipëria do të prezantohet nga presidenti Ilir Meta, i cili ka postuar ditën e sotme një foto nga Mynihu, ku pritet të takohet me një sërë liderësh europianë.

Komisioni Evropian ka njoftuar nga ana tjetër se Johannes Hahn ia ka dalë të bëjë bashkë Aleksandër Vuçiçin dhe Hashim Thaçi. Ata duket se do të lënë pas trazirat në shtëpi dhe do të marrin pjesë në një panel për Sigurinë në Evropën Juglindore më 16 shkurt.

“Komisioneri Hahn do të mbajë një sërë takimesh dypalëshe së bashku me presidentët Vuçiç dhe Thaçi”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komisionit Europian.

Dy presidentët janë takuar për herë të fundit në Paris në nëntorin e shkuar, disa ditë përpara se qeveria e Kosovës të vendoste taksën ndaj mallrave serbe, për të miratuar më pas ligjet për krijimin e ushtrisë së saj. Edhe pse të dyja palët duket sikur janë tanimë më të distancuara se kurrë, ekspertët thonë se sapo të zgjidhet çështja e tarifave, Thaçi dhe Vuçiç do t’i rikthehen bisedimeve për shkëmbimin e territoreve, pasi në vërtetë ata nuk është se janë larguar asnjëherë nga tryeza e negociatave.

Johannes Hahn, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi.

Sipas Tena Prelec, hulumtuese në Universitetin e Sussex dhe Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër (LSE), negociatat kanë qenë në vazhdim e sipër në Bruksel dhe se pika kryesore e diskutimit është heqja e tarifave .

Edhe pse marrëveshja e arritur prapa kuintave, mori një goditje të fortë falë këmbënguljes së kryeministrit Haradinaj për ta mbajtur në fuqi taksën ndaj importeve serbe, duket sikur kjo tashmë është arritur dhe do të zbatohet sapo dy presidentët të marrim mbështeten e duhur në shtëpi.

“Edhe pse publikisht të dyja palët kanë heshtur, së shpejti mund të shohim shumë zhvillime. Unë nuk do të isha e befasuar nëse ndryshimet e kufijve do të ishin ende pjesë e diskutimit, pasi Vuçiç duhet të çojë diçka në shtëpi për t’u mbyllur gojën nacionalistëve. Nga ana tjetër, unë besoj se pala shqiptare do të pranojë çdo marrëveshje që përfundon me njohjen e Kosovës”, thotë Prelec.

Edhe ose askush nuk e ka të qartë sesi do të do bëhet ky shkëmbim territoresh, skenari që do të përcaktonte ndarjen e Kosovës në lumin Ibër (duke e bërë Veriun e Kosovës pjesë të Serbisë dhe komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, pjesë të Kosovës) mori dritën e gjelbër nga aktorët kryesorë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara në Bashkimi Europian. Tanimë ka gjasa të jetë një temat e takimeve të shumta që do të zhvillohen gjatë kësaj konference.

Një rëndësi e konsiderueshme pritet t’i kushtohet edhe Ballkanit, pasi në raportin e publikuar një javë me parë, Konferenca e Mynihut për Sigurinë i kushtonte një kapitull të tërë Ballkanit Perëndimor dhe rreziqeve ndaj ndikimit kinez.

Organizatorët kanë njoftuar pjesëmarrjen e 35 udhëheqësve botërorë, 50 Ministrash të Punëve të Jashtme dhe 30 Ministrash Mbrojtjes. Midis tyre do të jenë Kancelarja gjermane Angela Merkel, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pense dhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov.
Anëtarët e NATO-s po i afrohen konferencës vjetore të sigurisë me frikë, pasi disa besojnë se SHBA-ja mund të tërhiqet nga një prej parimeve themelore të NATO-s, mbrojtjen kolektive. Konferenca nisi ditën e sotme për t’u mbyllur më 17 shkurt dhe pritet të pasqyrojë shqetësimet vendeve europiane për kërcënimet që vijnë nga Kina dhe Rusisë, por edhe “vakumin e udhëheqës” në Perëndim.

Vëzhguesit evropianë besojnë se këtë vit Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga thirrjet për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe të konfirmojë parin se një sulm ndaj një vendi anëtar është në sulm ndaj gjithë aleacës.

Në Mynih debatojnë çdo vit nga 15-17 Shkurt të pushtetshmit e kësaj bote. Konferenca e Sigurisë nuk është vetëm një skenë e pushtetit, por edhe laborator i diplomacisë për mundësitë që ofrojnë takimet e dhomave të pasme


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë