Me Kastriotin plotësohet 10-shja e Superiores për sezonin e ri, 2021-2022. Është zhvilluar edhe ndeshja shtesë mes Kastriotit, si vend i tetë i Superiores, dhe Tomorit që vinte nga Kategoria e Parë, pasi kishte eliminuar në “play-off” Burrelin nga Grupi A. Krutanët fituan 2-1 dhe siguruan edhe një sezon mes më të mirëve të futbollit shqiptar.
Në bazë të rregullores, kjo ndeshje luhet në fushën e ekipit të Superiores dhe krutanët i pritën beratasit në stadiumin e Kamzës, ku ata kanë luajtur si pritës gjithë kampionatin. Xhulio Mehmeti shënoi golin e parë për Kastriotin në fundin e pjesës së parë, në pjesën e dytë dyfishoi Rezi, ndërsa për Tomorin shënoi Qato në shtesë golin e vetëm. Canka ishte pa fat, pasi goditi traversën në pjesën e parë.
Kastrioti bashkohet kështu me Partizanin, Tiranën, Vllazninë, Teutën kampione në fuqi, Laçin, Kukësin, Skënderbeun, Dinamon dhe Egnatian. Këto dy të fundit janë ngjitur në elitë nga Kategoria e Parë si kampione të Grupeve A dhe B. Nga Superiorja kanë rënë Apolonia dhe Bylisi direkt, ndërsa Kastrioti kishte edhe shansin e ndeshjes shtesë, me anë të së cilës arriti të mbijetojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje