Lajme

Konfirmimi i Prelës, PD: Vettingu, vegël e Ramës

Pas konfirmimit në detyrë të Donika Prelës, i menjëhershëm është reagimi i Partisë Demokratike, e cila që pas zhvillimit të seancës dëgjimore ngriti një sërë pikëpyetjesh për drejtuesen e Krimeve të Rënda.
Enkelejd Alibeaj në një dalje për mediat deklaroi se me mbajtjen e Donika Prelës në sistemin e drejtësisë, vetingu u konfirmua edhe një herë si një vegël në duart e Edi Ramës.
“Kush ka patur edhe fijen më të vogël të besimit se organet e vetingut do të përjashtonin nga sistemi i drejtësisë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të lidhur me krimin, sot është bindur se vetingu funksionon si një vegël politike në duart e Edi Ramës”, tha ndër të tjera deputeti Alibeaj.
Prela i duhet Ramës për ta mbrojtur atë nga drejtësia dhe për të mbyllur dosjet e Tahirit, Dakos, Gjiknurit për vjedhjen e votave.
“Komisioni i vetingut, ndryshe nga rastet e tjera identike me të Donika Prelës, mbajti në sistemin e drejtësisë një prokurore shërbëtore të Edi Ramës, me pasuri të pajustifikuara dhe që i ka shërbyer krimit, nga Emiljano Shullazi te banda e Avdylajve dhe deri te shkatërrimi i dosjes së Saimir Tahirit. Mbajtja e Donika Prelës është rasti tipik kur drejtësia është e kapur nga krimi dhe politika në shërbim të tij. Partia Demokratike ka denoncuar faktin se me firmën e Donika Prelës, si drejtuese e prokurorisë së Durrësit, është liruar nga burgu drejtuesi i bandës së Avdyljave, Astrit Avdyli, në makinën e të cilit u gjet një armë pa leje janarin e vitit që shkoi.
Shërbimi kriminal që Donika Prela ka kryer për bandën që blinte vota për llogari të Edi Ramës në qarkun e Durrësit gjendet në dosjen 339, si pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve”, u shpreh Alibeaj.
Në fund, deputeti demokrat bën thirrje për t’u bashkuar më 16 shkurt për t’i dhënë fund kapjes së drejtësisë nga politika.
“Së bashku, ne duhet t’i japim fund kapjes së drejtësisë që mbron politikanët e korruptuar, me lidhje kriminale. Data 16 shkurt është një mundësi që ne të mos pranojmë më një drejtësi që i shërben atij që ka më shumë para dhe më shumë pushtet!”, përfundoi Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë