Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar kërkesën e 28 deputetëve të opozitës për shfuqizimin e VKM-së “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”.
“Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji”, thuhet në njoftimin për shtyp të gjykatës Kushtetuese
Në tetor të vitit të kaluar, PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese nismën e firmosur nga 28 deputetë ku kërkohej shfuqizimi i vendimit të këshillit të ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke e konsideruar si marrje në mbrojtje të pronave të “oligarkëve” që kanë ndërtuar kulla në Tiranë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe në këtë mënyrë u legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit. Në të kundërt ndërtimet do të sekuestrohen.
Problemi thelbësor i deputetëve të opozitës lidhej me faktin se çfarë ndodh me palën e tretë, pra me ata që kishin blerë apartament dhe një ditë shteti i konfiskon pallatin pronarit të ndërtesës.
“Nëse jam një qytetar që kam blerë një apartament dhe papritur marr vesh që gjithë godina është konfiskuar, përfshirë edhe apartamentin tim. Kjo në vlerësimin tonë e cenon në mënyrë flagrante të drejtën e pronësisë të qytetarëve që nuk kanë asnjë lloj faji pse një ndërtues mund të ndërtojë në shkelje të lejes së ndërtimit. Konfiskimi i gjithë godinës është një masë tërësisht jo proporcionale. Nuk mund të kemi konfiskim të të gjithë pasurisë por të produktit të veprës penale”, është shprehur juristi Marash Logu, një nga përfaqësuesit e PD në padi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje