Politike

Konflikti President-Parlament, ekspertët e Venecias takohen me Metën e Ruçin

Ekspertët e komisionit të Venecias, delegacioni i dytë, ka mbërritur në Tiranë për t’u njohur me qëndrimet e palëve sa i përket emërimeve dhe dekretimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Fillimisht ekspertët e Venecias u takuan me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, i cili ka ftuar vetë zyrtarisht për dhënë mendim mbi ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues.
Kryetari i Kuvendit ka falenderuar anëtarët e delegacionit mbi vullnetin dhe gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të bashkëpunuar me Kuvendin dhe institucionet shqiptare dhe dhënë opinione mbi zhvillimet politike, kushtetuese dhe ligjore në vend. “Kërkesat tona kanë qenë disi të shumta e të shpeshta, por Komisioni i Venecias iu është përgjigjur atyre me shpejtësi e cilësi të lartë dhe këto opinione janë konsideruar dhe inkorporuar në legjislacionin shqiptar”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.

Ruçi në takimin me ekspertët e Venecias


Në përgjigje të interesimit të anëtarëve të delegacionit, Kryetari i Kuvendit iu përgjigj pyetjeve të tyre lidhur me ngritjen dhe bërjen funksionale të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe organeve të tjera si edhe pyetjeve konkrete mbi procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi gjatë procesit të emërimit të gjyqtarëve kushtetues.
Ndërsa presidenti Meta në këtë takimin e tij me ekspertët e ka konsideruar të mrekullueshme Kushtetutën e Shqipërisë, por ka vërejtur se herë pas here “i kemi çmontuar mekanizmat “check & balance” të saj. “Bëmë një Kushtetutë të mrekullueshme me Komisionin e Venecias dhe që u votua referendum nga populli shqiptar në 1998. Por që atëherë, ne harruam çfarë ndodhi dhe herë pas here i kemi çmontuar mekanizmat “check & balance” të Kushtetutës sonë! – tha Meta.

Meta me ekspertët e Venecias

Më tej ai ka theksuar se “Komisioni i Venecias ka bërë më të mirën e tija, ashtu siç e bëri edhe për reformën që ne miratuam në Kushtetutë për drejtësinë, e cila u votua me 140 vota nga 140 deputetë siç nuk ka ndodhur ndonjëherë. Dhe unë isha Kryetar i parlamentit në atë kohë dhe jam krenar për atë arritje se pata mundësi për ta imponuar atë konsensus vetëm duke përdorur rekomandimet e komisionit të Venecias”. Delegacioni i Venecias do të zhvillojë takime me anëtarët e komisionit hetimor parlamentar dhe me përfaqësuesit e PD-së. Në mesin e muajit mars pritet që Venecia të dalë me një qëndrim nëse dekreti i presidentit Meta për emërimin si anëtare të Xhaferllarit ishte antikushtetuese ose jo? Ndërsa ekspertët duhet të japin interpretimin e tyre edhe për kërkesat e presidentit, që nga ana e tij kërkon të dijë nëse edhe procedura e ndjekur nga Parlamenti për emërimin e dy anëtarëve ka qenë ose jo kushtetuese dhe ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë