Ne rrjet

SHBA, thirrje Bullgarisë: Zgjidhni mosmarrëveshjen me Maqedoninë. Po pengoni edhe Shqipërinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Bullgarisë t’i japë zgjidhje çështjes së vetos që ka vendosur për negociatat e anëtarësimit për Maqedoninë, e cila është bërë pengese edhe për Shqipërinë deri në fund të vitit.

“Bullgaria duhet të arrijë një zgjidhje përfundimtare për marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut në mënyrë që kjo e fundit së bashku me Shqipërinë të fillojnë bisedimet e anëtarësimit në BE para fundit të vitit”, kështu thuhet në  letrën e dy anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Claudia Teni dhe William Keating drejtuar ambasadorit të Sofjes në Uashington, Tihomir Stojçev.

Anëtarët e Kongresit kanë shprehur mbështetje të fortë për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ndonëse është një rajon kompleks dhe dinamik.

“Në të njëjtën kohë, anëtarët e Kongresit kanë pranuar se megjithëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përmbushur kërkesat për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Europian, mbetet një mosmarrëveshje midis vendit tuaj dhe Maqedonisë së Veriut që po e pengon atë dhe Shqipërinë dhe të fillojnë bisedimet”, thuhej më tej në dokument.

Përfaqësuesit e SHBA i janë drejtuar Ambasadorit duke i thënë se vonesa e vazhdueshme e përparimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian ka vënë në dyshim angazhimet e marra nga liderët perëndimorë, duke hapur një derë për ndikimet politike anti-perëndimore në të gjithë rajonin, veçanërisht ato nga Kina dhe Rusia. “Ne besojmë se anëtarësimi eventual në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është kritik për paqen dhe stabilitetin afatgjatë brenda rajonit të Ballkanit dhe për të gjithë komunitetin transatlantik.”

Burimi: Dnevnik/ Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë