Partia Socialiste mbledh këtë të shtunë Kongresin e jashtëzakonshëm. Sipas agjendës së shpërndarë nga zyra e shtypit e socialistëve, punimet janë ndarë në dy pjesë.
Në pjesën e parë, që do të zgjasë rreth dy orë është parashikuar ngritja dhe diskutimi në pesë panele me tematika nga rinia, inovacioni e fëmijët, te shëndetësia, mbrojtja sociale, bujqësia, siguria ushqimore, energjia e mjedisi.
Pjesa e dytë përmban diskutimet më të rëndësishëm. Ajo do të hapet në mesditë me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, që do të flasë mbi pjesën organizative dhe politike të partisë. Pas tij fjalën do të marrë Kryeministri Edi Rama.
Do të flasin me radhë më pas Elisa Spiropali, Blendi Klosi, Taulant Balla e deri te Ditmir Bushati, të cilit i është lënë detyra për të folur për angazhimin në politikë të të rinjve dhe ftesa për t’iu bashkuar socialistëve.
Pas kësaj vijohet me sesionin e punimeve formale, ku do të prezantohet statuti i ri i partisë. Ky është edhe vendimi më i rëndësishëm i këtij kongresi, sepse statuti e ndryshon rrënjësisht organizimin e Partisë Socialiste në bazë, legjitimon drejtuesin politik të qarkut si njeriu më i pushtetshëm i partisë në qark, shkarkon të gjithë kryetarët aktualë të degëve dhe zgjedh për herë të parë pas një dekade kryetarët e rinj në të gjithë vendin njëkohësisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje