Kongresi i Partisë Socialiste i kushtuar vetëm për një ditë grave solli një risi, ku për herë të parë në historinë politike në një event partiak foli bashkëshortja e një lideri partie, që nuk ka ndonjë kontribut direkt në strukturat politike.
Kryesocialisti Edi Rama preferoi që në fillim t’ia linte fjalën fillimisht bashkëshortes së tij, Linda Ramës, e cila nuk i “kursej” kritikat ndaj qeverisë socialiste, duke treguar edhe opozitën brenda familjes socialiste.
Duke vlerësuar të gjitha ato çka janë bërë në qeverisjen e PS, Linda Rama theksoi mungesën e një Teatri për fëmijë, festival për fëmijë, madje shkoi më tej duke thënë se bashkëshorti i saj nuk i ka dhënë një argument bindës pse nuk ka sistem funksional të klasave sportive në shkolla.

“Është e qartë pse duhet të kemi një Teatër të ri kombëtar, apo të tjera salla si Art Turbina, por a mund të jemi të qeta ne nënat kur i vetmi teatër fëmijësh është Teatri i Kukullave një hije e ftohtë e atij që ishte kur Tirana ishte 5-fish më e vogël se e sotmja. Pse falë fondeve publike të mbijetojë një mega shoë si festivali në RTSH në kohën e konkurrencës së lirë, ndërkohë që më i madhi duhet të ishte një festival mbarëkombëtar për fëmijët. I bukur është stadiumi i ri kombëtar, dhe të tjerat që me siguri janë më pak nga ata që i duhen Shqipërisë, por a ma thotë dot njeri se Edi nuk më ka dhënë arguemnt bindës, pse nuk kemi një sistem funksional të klasave sportive për fëmijët në shkolla. Më në fund dëgjova që kopshti zoologjik do të të ndërtohet sipas standardeve, shpresoj që këtë herë të ndërtohet, por nuk kemi edhe në zona të tjera të vendit”, tha bashkëshortja e kryeministrit.
Pas këtij fjalimi, radha për t’u përgjigur “kritikave” i erdhi kryeministrit Rama, i cili kësaj here u shfaq në një format tjetër, të lëshimit të batutave për shigjetimet e lëshuara nga Linda Rama, duke u shprehur se ajo është opozita e tij më e fortë.
“E dëgjuat zërin e opozitë time më të fortë. Mua më takon ta falenderoj Lindën sepse sidoqoftë ishte shumë më e moderuar këtu se mbrëmë në shtëpi ku fillohet debati i parlamentin tonë familjarë-katunar. Rrofsh moj grua që më kurseve në sy të të gjithë këtyre shoqeve dhe jam qartë që kusuri do e marrë në Surrel me pasion për gjithçka që u tha këtu. Ju qeshni por e vërteta është se po të mos e kisha në shtëpi çdo natë këtë opozitare që dëgjuat para meje do më dukej vetmja me i madhi i krejtve në bote. Dua të falenderoj Lindën jo thjeshtë për faktin se më ndihmon të rri me këmbë në tokë, por është themeli i shtëpisë tonë”, deklaroi Rama.

Pastaj duke vijuar batutat, kryesocialisti u shpreh se “kemi një shtëpi që falë Lindës është antisizmike dhe përballon dhe tërmetet e mia me shumë qëndrueshmëri, dhe fal saj fëmijë nuk u mungon asnjë moment mbrojtja shpirtërore e mbështetja morale që unë e kam të pamundur t’ua jap sa duhet dhe si duhet. Por falë saj Aneta që më shikon aq rrallë ka gjetur një vajzë që dhe po ta kishe bërë vetë nuk do e kishte bërë dot kaq brenda standardeve dhe kritereve të saj. Aneta është më e vështirë se BE për standarde dhe prioritete”.
Ndërsa shtoi se kur debatit të familjes i shtohen edhe dy fëmijëve të mëdhenj mendja i shkon te Luli, kundërshtari politik. “Zahon e kemi si Gramozin nuk ndeerhyn me debatet e brendshme tee Parlamentit tonee, e kur vijnee ato dy të meedhenjtee them ku je o Lul, se veteem t’i ma been jeteen time tee gjatee”, tha Rama.
Përpos këtyre batutave, kryesocialisti nuk ngurroi që ta sulmonte kundërshtarin politik, kryedemokratin Lulzim Basha.
“Sa më lart ngjitesh aq më e fortë është era dhe aq më vetëm jemi. Lindës i është dashur të përballojë baltën e mëhallës por ky është çmimi kur vendos të merresh me politikë në këtë vend. Aq më tepër kur të bie hisja që të kesh përballë llojin më të ulët të konkurrentëve për vite e vite të tëra”, theksoi Rama.

Reagimi i PD: Dako “non grata” nga SHBA
Pas mbylljes së kongresit të PS-së, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike që u fokusua te fakti në këtë event të socialistëve ishte prezent edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Sekretari i Përgjithsëm i PD-së, Gazment Bardhi me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se “Vangjush Dako në krye të vendit, non grata në SHBA, nën hetim për vjedhjen e zgjedhjeve në bashkëpunim me bandën e trafikantëve nderkombëtare të drogës dhe qënieve njerëzore, vazhdon dhe merr vendime në PS e Edi Ramës. Pavarësisht fasadës dhe ngjyrave, Partia Socialiste me Edi Ramën mbetet një parti e kriminalizuar, që ka në drejtim dhunuesit e grave!”, shprehet Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





















Lini një Përgjigje