Bota

Konservatorët dhe liberalët gjermanë, bisedime të dielën mbi koalicionet

Konservatorët gjermanë dhe liberalët e “Free Democrats” (FDP) kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime për formimin e një koalicioni qeveritar të dielën.
Konservatorët e kancelares gjermane Angela Merkel u mundën nga socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD) në zgjedhjet e së dielës së kaluar. Të dy krahëve do t’u duhet të bashkohen me të Gjelbrit dhe FDP – të cilët dolën të tretët dhe të katërtët në votim, për të arritur një shumicë.
Kreu i CDU-së Armin Laschet, i cili udhëhoqi konservatorët në rezultatin e tyre më të dobët ndonjëherë në zgjedhje dhe Markus Soeder, udhëheqës i partisë simotër CSU të Bavarisë, do të takohen të dielën me udhëheqësin e FDP Christian Lindner, sipas burimeve të krahut konservator.
Ndërkaq një takim i konservatorëve dhe i të Gjelbërve është planifikuar nga fillimi i javës së ardhshme.
Të Gjelbrit dhe FDP kanë zhvilluar tashmë bisedime me njëri-tjetrin këtë javë që synojnë tejkalimin e diferencave mbi taksat, borxhin dhe çështjet e drejtësisë sociale.
Të Gjelbrit thanë se megjithëse negocimet e para me FDP ishin pozitive, ata mbeten në diskutime se me cilin partner të madh të bashkohen në koalicion. Të Gjelbrit preferojnë një koalicion të udhëhequr nga SPD, ndërsa FDP thotë se CDU/CSU janë partnerët e tyre të preferuar.
SPD dhe konservatorët, të cilët kanë qeverisur së bashku nën qeverisjen e kancelares Merkel për tetë vitet e fundit, kanë kundërshtuar një aleancë midis tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë