Politike

PS merr kreun e Këshillit Bashkiak të Himarës. Beleri, letër nga burgu: Sot më penguan të marr detyrën

Dhimiter Kapaj nga PS është zgjedhur sot kryetari i Këshillit të bashkisë Himarë. Nga 21 këshilltarë, Dhimiter Kapaj ka marrë 13 vota ndërsa Afrovita Dhimojani 8 vota.

Mbledhja nisi me tensione, ndërsa Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, ka shkruar një letër nga burgu drejtuar himariotëve por edhe ndërkombëtarëve.

Beleri, i arrestuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion në zgjedhje, thekson faktin se nuk u lejua të betohej si kryebashkiak në detyrë, pasi GJKKO rrëzoi kërkesën e tij për t’u lënë i lirë ditën e sotme (e martë) që të kryente betimin në Bashkinë e Himarës.

“…Sulmi i paprecedentë dhe 45 ditët e paraburgimit tim të padrejtë nuk e ndryshojnë besimin tim të thellë te demokracia, te të drejtat, institucionet dhe pikë së pari te qytetarët.

Besoj dhe ju ftoj të besoni dhe ju se ky kalvar nuk do të ketë kryqëzim. Shpresoj që së shpejti të gjithë të mendojnë lirshëm dhe të veprojnë me virtyt. Prandaj ju kërkoj të tregoni durim, besim në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, në atë që mbrojtët me votën tuaj.

Sepse më 14 maj fitoi Demokracia. Fitoi Himara. Dhe u jam mirënjohës atyre që treguan trimëri, por edhe mirëkuptoj ata që u nënshtruan presionit. Por ju premtoj se për mua nuk ka fitues dhe humbës.

….Mbi të gjitha sot një kryetar bashkie i zgjedhur në këtë pjesë të Evropës, një qytetar pjesëtar i minoritetit, u pengua të merrte detyrën. Sepse sot u konfirmua synimi i kundërshtarëve të popullit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në letrën e Belerit. Ai i drejtohet BE dhe SHBA që të mbrojnë atë që ai e cilëson si shkelje të drejtave të njeriut.   

“U kërkoj që t’i kushtojnë vëmendje paraburgimit dhe aktakuzës ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës për të përmbushur misionin e tyre në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut…”, thuhet ndër të tjera në letër


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë